Angazhimi dhe puna e palodhshme mes paragjykimeve dhe dëshirës për të qenë refere për Lumturie Muhadrin do të merrte kuptim në vitin 2017, kur u licencua si asistente ndërkombëtare e futbollit.

Magjistre në shkencat sportive, Muhadri qysh në vitin 2000 ka nisur rrugën si refere e futbollit.

Por ajo rrëfimin e saj e nis duke theksuar se sa e vështirë ishte të pranohej një femër në mesin e shumë meshkujve si refere.

“Futbolli për mua ka qenë një ëndërr, por si femër fillimisht nuk ka qenë aspak e lehtë pasi kam pasur e jam ballafaquar e vazhdoj të ballafaqohem me shumë paragjykime sikurse: femra nuk din asgjë për futboll, futbolli nuk është për femra”, shprehet ajo për VAR Kosova.

Megjithëse sipas saj, të merresh me sportin në përgjithësi, në Kosovë nuk është e lehtë.

“Sidomos me referim ku dihet që në vendin tonë vitet e para nuk kishim kushte për ta realizuar asnjë një pasion”, thotë Muhadri.

“Personalisht kam kaluar edhe nëpër shumë vështirësi të tjera duke filluar nga gardëroba ku ne si femra jemi detyruar të përdorim veturën si zhveshtore, apo ka pasur raste kur edhe ndonjë hapësirë e rrethuar me pemë ka shërbyer për neve si vend i tillë pasi në Ligën e 3 në atë kohë kur referoja unë kanë qenë kushtet e mjerueshme nëpër livadhe janë zhvilluar ndeshjet”, shton ajo.

Por Lumturie Muhadri tani refere në Superligë, thekson për VAR Kosova se kushtet e vështira ishin të përballueshme krahasuar me paragjykimet që i hasnin para çdo ndeshjeje.

“Por pas çdo vështirësie, e fjalëve se pse Federata ka sjell femra për të referuar këto nuk dinë, futbolli nuk është për femra etj  që i hasnim pothuajse në çdo ndeshje prapë kisha atë vullnetin dhe dëshirën për të vazhduar ta kryej detyrën time në nivelin më të lartë”.

“I gëzohesha faktit që në fund të çdo ndeshje arrija të ndryshoja paragjykimet e njerëzve që para ndeshjes më thoshin nuk dinë femrat, e pas ndeshjes me kërkonin falje dhe me përgëzonin për një referim të shkëlqyer”, thotë Muhadri.

Sot pas gati dy dekadash, Lumturija thotë se gëzon respekt të madh nga të gjithë për guximin dhe vullnetin për të mos hequr dorë nga ëndrra e saj.

Përkrahja që nuk i mungoi asnjëherë nga familja dhe vullneti për të realizuar ëndrrën që të ndaj drejtësinë në një ndeshje ndërkombëtare, Muhadrit i dhanë forcë që të mos heqë dorë nga referimi.

“Fatmirësisht e kemi pas mbështetjen e plotë të Federatës , kolegëve e familjes ku më kanë shtyrë që të mos ndalem duke punuar për ti realizuar ëndrrat e mia”, ka thënë Muhadri.

Në anën tjetër licenca nga FIFA për të referuar në gara ndërkombëtare të futbollit për Muhadrin ishte një tjetër ëndërr e realizuar. 

“Pranimi si refere ndërkombëtare ishte një ndjenjë që as sot nuk di ta përshkruaj me fjalë, por ajo ditë ishte ditë gëzimi dhe festë në familjen time”.

Lumturie Muhadri që nga viti 2017 ka referuar disa ndeshje futbolli në gara ndërkombëtare.

Nga ëndrra për të referuar në këto gara nuk ka hequr dorë as Fixhrije Sadiku.

Sadiku e cila aktualisht referon në Ligën e Parë thotë për VAR Kosova se paragjykimet se një femër nuk është e aftë të ndaj drejtësinë në futboll ekzistojnë edhe sot.

Ajo ka nisur referimin që nga viti 2007.

“Me të vërtetë duhet të vetëdijesohemi shumë, jemi shumë prapa, pothuajse çdo ditë i dëgjon ato fjalë qy një femër po referon, ose kur më shohin nga larg shih një djalë me flokë të gjata”, shprehet Sadiku për VAR Kosova.

Ofendimet sipas Sadikut nuk mungojnë, por ato vetëm i shtyjnë të punojnë më shumë me qëllimin që kjo të ndryshojë për gjeneratat e ardhshme.

“Edhe tifozët i dëgjon në stadium qy femër, po çka dinë këto?”

Megjithatë Sadiku thotë se vajzat e reja nuk duhet hequr dorë nga ëndrrat e tyre pasi sipas saj kushtet kanë nisur të përmirësohen dukshëm në Kosovë.

“Për femrat që duan të merren me futboll u them se duhet të kenë një karakter shumë të fortë sepse do të ballafaqohen me gjithçka. Unë kam pasur fatin që gjithë familja merremi me sport dhe paragjykimet e tilla femra- meshkuj nuk kanë ekzistuar”, ka theksuar Sadiku.

Në të gjitha ligat e futbollit në Kosovë janë gjithsej 20 refere femra./VAR Kosova/