Rrëfime

JEMI TË IZOLUAR, POR JEMI TË GJITHË BASHKË

Çfarë thoshte Pau Gasol për kohën e izolimit në fillim të pandemisë? Si i kanë shërbyer mësimet e të ndjerit  Kobe Bryant në ballafaqimin me situatën e krijuar nga COVID-19? Thuajse një vit më vonë, a qëndrojnë ende këshillat dhe lutjet e Gasol për reagimin tonë kolektiv nga situata jo-normale në të cilën gjendemi?

Tre javët e fundit na janë dukur si një vit.

Duke qenë edhe vet në izolim, shpresoj që ti dhe të dashurit tuaj janë duke kaluar këtë krizë sa më mirë që është e mundur.

Gjithçka ndodhi shumë shpejt: Një ditë, ne ishim duke shkuar në punë, duke dalë me shoqëri dhe duke shkuar në restaurante. Finalet e NBA-së ishin vetëm një muaj larg. Unë isha i zënë duke rehabilituar një lëndim që më kishte lënë jashtë basketbollit për pak më shumë se një vit. Lojërat Olimpike në Tokio ishin afruar dhe unë mezi prisja të bëhesha gati për verë kur do t’i bashkohesha ekipit kombëtar të Spanjës për, ato që do të ishin, lojërat e mia të pesta olimpike.

Pastaj papritmas, ne u vetizoluam. Gjendje emergjente. Kufizime në lëvizje. Bota u ndal.

Javëve të fundit kam reflektuar në atë se çfarë nënkupton izolimi. Për të sëmuarit, është emergjencë jetë-a-vdekje – ata janë të izoluar në spitale. Janë duke e luftuar virusin të vetmuar, vetëm nën shoqërinë e stafit mjekësorë. Të tjerët janë të sëmurë në shtëpi, të vet-izoluar brenda shtëpive tyre, pranë familjarëve. E pastaj janë stafi i kujdesit shëndetësor: doktorët, infermierët, teknikët dhe stafi emergjent. Me të drejtë i cilësojmë heronj – por shpesh, ata gjithashtu janë të izoluar larg më të dashurve të tyre, përderisa ballafaqohen ballë-për-ballë me virusin për të trajtuar pacientët e tyre.

Ne të tjerët jemi të izoluar në një tjetër mënyrë.

Ne jemi të mbyllur në shtëpitë tona – miliona njerëz në gjithë globin. Për një kohë të shkurtë, e gjithë bota jonë u tkurr në madhësinë e dhomës së ndejës. Jemi të izoluar larg shokëve tanë, familjarëve, fqinjëve e kolegëve, e mënyra e vetme për të mbajtur lidhjet është përmes telefonave, televizorëve dhe kompjuterëve. Jemi shndërruar në banorë të ishujve tonë.

Shpresa, dhe ajo çfarë unë besoj, është që izolimi do ta ngadalësojë shpërndarjen e virusit. Në një realitet të ri e të çuditshëm, ne që i përkasim një grupit jemi me fat. Nëse kemi fat, ne jemi duke e kaluar këtë kohë me familje. Por për shumë njerëz, kjo kohë nuk iu duket shumë me fat. Disa kanë humbur punën e tyre. Bizneset janë mbyllur. Shkollat janë ndaluar. Spitalet janë mbingarkuar dhe pajisjet mjekësore janë në mungesë. Pasiguria ka mbuluar gjithçka.  A do të infektohen të afërmit e mi? Kur do të dalë vaksina? Kur do të kthehemi në “normalitet” – si do të jetë “normaliteti” i ri? Dëmi në shëndetin tonë mendor dhe fizik mund të jetë shumë më i madh sesa që mund ta paramendojmë.

Dhe prapë, për shumë prej nesh, izolimi e ka bërë më të vështirë të kuptojmë se çfarë po ndodh me të vërtetë në vende të goditura rëndë nga virusi.

Mund të ndiqni lajmet, por varësisht se ku jetoni, ajo çfarë shihni jashtë dritares tuaj nuk përkon me realitetin që e shihni në televizion. E dimë se ka zjarre të tmerrshme – por në rrugën tonë, në komunitetin tonë, nuk ka as tym. Përkeqësimi mund të duket sikur po ndodh diku tjetër.

Në anën tjetër, për miliona njerëz, pandemia e virusit korona nuk është thjesht lajm. Është diçka shumë e afërt dhe serioze.

Spanja, shteti im i lindjes, është një nga vendet më të ndikuara për momentin. Kam dëgjuar situatën të përshkruhet si “apokaliptike”. Shkalla e vdekjeve në Spanjë është e dyta në botë, pas Italisë. E gjithë popullata është nën urdhra strikte për të qëndruar brenda. Stafi mjekësor janë duke punuar 24/7 – po japin gjithçka që dinë për të shpëtuar jetë, dhe në disa raste, po japin edhe vet jetën e tyre. Së paku 14% e stafit mjekësor në Spanjë janë infektuar nga virusi.

Ne mund të shpresojmë që virusi të mos arrijë në komunitetin tonë, por shansat janë që ai tashmë ka arritur. Sh.B.A.- të tashmë kanë të regjistruara më shumë raste se çdo vend tjetër në botë. Nëse nuk e marrim me seriozitet distancën sociale, shpërndarja e virusit do të mbingarkojë sistemet shëndetësore. Sipas një studimi të fundit të Harvardit, nëse amerikanët nuk e “ulin kurbën e infektimit” me shpejtësi marramendëse, deri në 20 milionë pacientë do të kenë nevojë për shtrirje në spital në muajt në vijim, dhe më shumë se katër milionë do të kenë nevojë për përkujdesje intensive. Mbingarkesa e pritshme do të shtyjë stafin mjekësorë që të shtyjnë operacione dhe ndërhyrje tjera, kështu duke rrezikuar edhe më shumë jetë. Doktorët në SH.B.A po përgatiten për një realitet të frikshëm: racionimin e kujdesit shëndetësor. Nëse kërkesa për ventilatorë dhe shtretër në kujdesin intensiv rriten, siç e parasheh ky artikull në Wall Street Journal, spitalet do të detyrohen të vendosin kush jeton e kush vdes. Është mendim i frikshëm, por veçse është duke ndodhur në vende si Itali e Spanjë. Nuk mund të shtiremi kinse s’mund të ndodh këtu.

Së fundmi më shokoi një ngjarje në Spanjë. Në njërën nga zonat më të ngarkuara të Madridit, është një qendër tregtare që quhet Palacio de Hileo (Pallati i Akullt). Është qendër e madhe tregtare me dyqane dhe restaurante, mirëpo pika më atraktive është një pistë patinazhi e madhësisë së pistave olimpike. Megjithatë sot qendra tregtare është bosh, meqë spanjollët janë të detyruar të qëndrojnë në izolim. Pista e patinazhit është kthyer në morg të përkohshëm. Mendoni pak: Një pistë patinazhi…tani është morg. Këto ditë, qyteti i Madridit ka lajmëruar se do të kthej në morg edhe një ndërtesë të dytë. Kaq shumë ka ndryshuar jeta në Spanjë për një kohë kaq të shkurtër.

Imagjinoni vetëm për një moment sikur në qytetin tuaj një hallë e sportit e madhësisë së arenave të NBA-së të kthehet në morg, apo në spital. Imagjinoni, jo vetëm një udhëzim për të mbajtur distancë sociale, por një ligj i cili kërkon nga qytetarët të qëndrojnë të mbyllur brenda. Në Spanjë, njashtu si në Itali, familjarët nuk kanë të drejtë të vizitojnë as anëtarët e tyre të familjes që janë duke vdekur – për të thënë lamtumirën e fundit – nga frika e shpërndarjes së virusit. Nënat që lindin nuk mund t’i kenë afër vetes as njerëzit e dashur. Dasmat janë anuluar. Varrimet po mbahen pa pjesëmarrës. Ky është lloj tjetër i izolimit.

Është e vështirë të mos ndihesh i pashpresë. Jam i lehtësuar që prindërit e mi, dy vëllezërit dhe pjesa tjetër e familjes janë në gjendje të mirë…tani për tani. Por e di që shumë njerëz në Spanjë të cilët janë të sëmurë, përfshirë dy punëtorë të mi të cilët kanë simptoma të virusit, duhet të mbyllen pa u testuar, meqë testime bëhen vetëm për ata në gjendje më të rëndë. Atletët sigurisht që nuk janë imunë. Një ish-bashkëlojtar i ekipit kombëtar të Spanjës është duke u rikuperuar në shtëpi këtë javë pas daljes nga spitali ku ishte i shtrirë për shkak të virusit.

Me suspendimin e sporteve, mendoj se sportistët më shumë se kurdo herë më parë po ndihen më të lidhur me komunitetin, fansat dhe botën rreth nesh. Më pëlqeu shumë që pashë këtë bashkëbisedimin mes Steph Curry dhe Dr. Anthony Fauci, gjithashtu edhe përkushtimin e Drew Brees ndaj qytetarëve të ndikuar nga virusi në New Orleans. Javën e kaluar, Rafael Nadal dhe unë iu bashkuam Kryqit të Kuq në lansimin e kampanjës #NuestraMejorVictoria (“Fitorja jonë më e mirë”) – me qëllim të inkurajimit të luftës kundër COVID-19. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi. Na duhet që atletët nga e gjithë bota të përdorin platformën e tyre për të ndarë informacione të rëndësishme rreth pandemisë, si dhe të afrojmë qytetarët përtej kulturave dhe kufijve.

E prapë se prapë unë e kthej mendjen te qendra tregtare. Për mua, kjo është kthyer në simbolikë të frikshme të krizës: vendet ku kemi shkuar të bëjmë qejf – si një pistë patinazhi – tani janë transformuar në përkujtues të zymtë të kësaj krize. Gjithashtu është rikujtues për gjëra që i kemi marrë si të mirëqena atëherë kur situata ishte “normale” – koncertet, ngjarjet sportive, festat e ditëlindjes, takimet, restaurantet, udhëtimet. Këto janë disa nga ato gjërat që i japin jetës tonë kuptim.

Por e shoh vetën duke kërkuar shpresë, edhe në kohë izolimi.

Çdo natë ndodh diçka e mahnitshme në Spanjë: Në orën 8 të mbrëmjes, javëve të fundit, qytete të qeta kanë shpërthyer në brohoritje. Njerëzit dalin në dritaren e tyre për të përshëndetur dhe brohoritur punëtorët e shëndetësisë. Këto mbledhi zgjasin diku 15 minuta, dhe të gjithë i kthehen izolimit të tyre deri mbrëmjen e radhës. Nderime të ngjashme kanë filluar të shfaqen kudo nëpër botë.

Kjo po ashtu është një simbol i rëndësishëm. Njerëzit kanë nevojë për lidhje dhe komunitet. Njerëzit në dritaret e tyre janë kujtesë ditore për nevojën që shpirti njerëzor ka për solidaritet e dashuri, edhe në kohët më të vështira. Si njerëz, në themel i kërkojmë gjërat e njëjta: sigurinë, dashurinë, lirinë dhe jetë të mirë për më të dashurit tanë dhe gjenerata e radhës.

Po mundohem të gjej disa zgjidhje brenda kësaj krize. Ndoshta ka të bëjë me natyrën time konkurruese si sportist, apo ndoshta jam irrituar nga izolimi – por po përpiqem. Jam duke e pyetur veten, çfarë mund të mësojmë nga ky moment? Kuptohet, prioriteti i parë duhet të jetë mposhtja e pandemisë. Për ta bërë këtë, duhet të mbështesim punëtorët shëndetësor dhe shkencëtarët. Duhet të ndjekim këshillat e tyre për të shmangur shpërndarjen e virusit. Kjo është detyra jonë e parë.

Por përderisa bota mbetet në izolim, ne nuk duhet të harrojmë vlerat tona të përbashkëta. Kjo është një mundësi e rrallë për të rivlerësuar se çfarë nënkuptojmë me “Jemi bashkë në këtë situatë”.

Merre shembull përkujdesin shëndetësor. Nuk do të duhej ky shpërthim i një virusi ngjitës të na bënte të kuptonte sa jemi të varur ndaj njëri tjetrit. Por tashmë është shumë e qartë: Kur vjen puna tek përkujdesi shëndetësor, të gjithë jemi bashkë, në kuptimin e parë të fjalës. Shëndeti yt ndikon shëndetin tim, dhe shëndeti im ndikon tëndin. Na duhen sisteme më të fuqishme shëndetësore, dhe duhet të jemi më të koordinuar dhe transparent në përpjekjet tona të përbashkëta. Kriza na ka treguar sa e rëndësishme është që shtetet të ndajnë mes vete të dhëna dhe hulumtime të rëndësishme mjekësore. Jo vetëm që do të shpëtojë jetë gjatë kësaj krize, por ka të ngjarë që do të parandalojë dukshëm një krizë të radhës.

Të vërteta po shpalosen, dhe mitet po sfidohen. Askush nuk e ka paramenduar ardhjen e një mbyllje globale. Por kur erdhi, e pamë se sa shumë varemi nga njerëzit punët e të cilëve trajtohen si të padukshme në përditshmërinë tonë. Komuniteti i NBA – vendi im i punës për dy dekadat e fundit – duket si një pjesë mikroskopike e një komuniteti të madh. Shpesh herë flasim për “Familjen e NBA”; e tash, në këtë kohë krize, na u është dhënë mundësia që t’i përkushtohemi vlerave të kësaj familje. Tashmë veçse e kemi parë një reagim shpresëdhënës nga lojtarët të cilët kanë marrë përsipër përkujdesjen ndaj stafit të arenave të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë kësaj kohe. Është një vlerësim dhe shpërfaqje e komunitetit në të cilin jetojmë, dhe për fillim, është diçka mëse e nevojshme. Tash duhet të planifikojmë se çfarë duhet të bëjmë në vazhdim.

Të vërteta të ngjashme janë duke dalë në pah gjithandej. Një pjesë e madhe e forcës tonë punëtore janë duke u përballur me një makth financiar. Si rezultat e shohim se ekonomitë janë duke pësuar keq. Fakti që p.sh. në Amerikë, më shumë se 3 nga 10 të rritur nuk kanë asnjë kursim do të duhej të na shqetësonte. Shumë nga ata njerëz – tani për tani – janë duke dërguar ushqim, duke u kujdesur për të sëmurët, duke bartur mallra, e edhe duke bartur trupat e vdekur. Ditëve të fundit, disa punëtorë kanë filluar grevë në përpjekje për të kthyer vëmendjen te ato çfarë papritmas janë kthyer në kushte të rrezikshme të punës. Shih si është puna: Puna e komshiut tënd ndikon drejtpërdrejtë punën tënde. Standardi i jetesës së tyre ndikon jetën tënde, dhe anasjelltas. Një sëmundje ngjitëse nuk gjykon për nga statusi social, të hyrat, raca, feja apo orientimi seksual. As reagimi jonë nuk do të duhej të bazohej në këto karakteristika.

Tash është koha t’i ri-përkushtohemi  këtyre idealeve.

Sepse një ditë, edhe kjo krizë do të kalojë. Përderisa ne bëjmë gjithçka që mundemi për të ulur kurbën, duhet të mendojmë edhe për atë që do të vijojë. Frika ime është se përderisa ne jemi duke luftuar këtë armik të padukshëm, një tjetër është duke pritur në radhë. Këtë javë, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se beteja kundër virusit korona do të sjellë “jo-stabilitet, jo-rehati dhe konflikt më të theksuar”. Në muajt në vijim, jeta mund të kthehet në normalitet në disa mënyra, por në mënyra tjera do të ketë ndryshuar. Njerëzit do të ndihen të lënduar, të prekshëm dhe të zemëruar. Jetët dhe jetesa do të jenë humbur. Përderisa jemi në betejë me virusin, ne duhet të përgatitemi për këtë realitet i cili na pret në horizont. E kur të vijë ajo kohë, do të jetë e turpshme dhe e dëmshme ndaj të gjithë atyre që luftuan kundër shpërndarjes të virusit, e të gjithë atyre që vdiqën nga ky virus, sikur ne të mos kemi mësuar asgjë nga kjo.

Kjo më bën të mendoj për diçka që kam mësuar nga një ish-bashkëlojtar i imi. Mënyra se si ai iu përgjigjej pengesave ishte një ndër gjërat më të jashtëzakonshme që kam parë. Ai i shihte pengesat si mësime të rëndësishme, e mundësi për tu rritur.

Ai bashkëlojtar ishte Kobe Bryant. Po më mungon Kobe shumë këto ditë, dhe gjërat që mi ka mësuar janë më të zhurmshme se kurrë më parë në mendjen dhe zemrën time.

Neve na duhet ky mentalitet tani. Ndoshta nuk kemi shumë gjëra nën kontroll, por ne prapë kemi opsione. Mënyra se si i përgjigjemi pandemisë, dhe gjërat që do të vijnë pas, do ta definojë këtë moment në histori. A do të dalim faqebardhë e të bashkuar – apo të inatosur e të ndarë? Ne vendosim.

Var Kosova

Recent Posts

Xavi largohet nga Barcelona, ky pritet të jetë trajneri i ri i klubit katalanas

Xavi Hernández nuk do të jetë trajner i Barçës sezonin e ardhshëm, sipas mediumit spanjoll,…

1 day ago

Zvicra publikon listën paraprake për Kampionat Evropian – përfshihen gjashtë shqiptarë

Kombëtarja e Zvicrës e ka publikuar listën paraprake për Kampionatin Evropian që nis në muajin…

1 day ago

Ylber Ramadani flet për problemin shëndetësor që pati: Rrezikova të vdisja – ka një falenderim

Ylber Ramadani e kaloi një rrezik të madh për jetën disa javë më parë Mesfushori…

2 days ago

Nuk është në planet e Aston Villës, ky do të jetë klubi i ri Philippe Coutinhos

Vasco de Gama është e interesuar për huazimin e Philippe Coutinhos me faktin se marrëveshja…

2 days ago

E FUNDIT/ Barcelona merr këtë vendim për të ardhmen e Xavit

Sipas raportimeve të fundit, Xavi Hernandez nuk do të jetë trajner i Barcelonës për sezonin…

2 days ago

Jurgen Klopp tregon se çfarë do të bëjë pas largimit nga Liverpool

Jurgen Klopp do të largohet nga Liverpooli në fund të këtij sezoni. Ndeshja lamtumirëse e…

2 days ago