Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS) në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpjeguar sot se kryetari i FFK-së, Agim Ademi kishte dërguar një dokument për viza në vend të certifikatës së gjykatës me rastin e aplikimit për rilicensimin e FFK-së.

Përmes një emaili të dërguar në drejtim të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe klubeve të kësaj federate, KVLFS ka shpjeguar në 20 pika kriteret të cilat nuk i plotëson FFK-ja për licencimin e institucionit.

Në bazë të udhëzimit të ri administrativ nga MKRS-ja, udhëheqësi i një federate duhet të dëshmojë pastërtinë ligjore.

Duke pasur parasysh se Agim Ademi nuk është plotësisht i pastër, i pari i futbollit kosovar ka tentuar ta mashtrojë Komisionin Vlerësues duke dërguar një dokument për viza në vend të certifikatës së gjykatës se nuk ndodhet nën hetime.

“Agim Ademi ka sjellur vërtetim nga gjykata që është nxjerrë në emër të rregullimit të kodumentacionit për vizë, dhe duhet ta sjellë certifikatën unike nga gjykata përkatëse në origjinal”, shkruhet në dokumentin e MKRS-së.

Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive ka shpjeguar në pika të gjata të gjitha nenet që duhet të përmbushen nga FFK-ja për tu licensuar.

Deri më tani FFK-ja akoma nuk është licensuar, kurse mos licensimi sipas vendimit të ri të komisioni do të sjellë probleme klubeve për shkak se ato nuk mund të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.