Pas lëndimit që e la jashtë për disa ndeshje, i rikthyeri tek Augsburgu nga Hoffenheimi, mund të jetë i gatshëm për lojë në momentin më të rëndësishëm të sezonit. 

Mërgim Berisha të mërkurën ka dalë në fushën e gjelbër në stërvitje dhe është parë duke vrapuar. 

Ky rikthim i Berishës e ka gëzuar trajnerin e Augsburgut, Jess Thorup. 

Ai ka thënë se këto janë sinjale të mira. 

“Disa prej lojtarëve që ishin të lënduar kanë nisur të vrapojnë sërish. Shpresoj që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm për lojë pas pushimit të ndeshjeve të përfaqësueseve”, ka thënë trajneri 55-vjeçar Thorup .

Augsburgu të dielën ballafaqohet me Freiburgun nga ora 17:30. 

Sulmuesi Berisha, që ka dy paraqitje në miqësore për Gjermaninë, ka pasur lëndim muskulor. Por, pritet të kthehet më shpejtë se që është menduar. 

26-vjeçari do të jetë te ish-skuadra deri në fundin e edicionit. Ai iu bashkua Augsburgut nga Hoffenheimi në formë huazimi në fillim të këtij viti.

Berisha me Augsburgun në total ka shënuar nëntë gola e ka pasur katër asistime në 26 paraqitje gjithsej. 

Trajneri Thorup, siç shkruan “Augsburger Allgemeine” të mërkurën, shpreson që Berisha të jetë i gatshëm për lojë në tetë ndeshjet e fundit të edicionit. 

Augsburgu aktualisht ka 31 pikë në 23 ndeshje të luajtura dhe zë vendin e 11-të. 

“I kam thënë Mërgimit që nëse asgjë e re nuk ndodh, atëherë ai duhet të jetë i gatshëm për lojë, pas ndeshjeve të përfaqësueseve”, ka deklaruar Thorup.