Boksierja kosovare Donjeta Sadiku, ka kaluar në gjysmëfinale të turneut të boksit “Stranxha” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Sadiku e kategorisë deri 60 kilogramë mposhti Tursynbek Alnar nga Kazakistani.

Sipas Federatës së Boksit të Kosovës, Sadiku mundi bindshëm me rezultat 5:0 kundërshtaren e saj.

“Donjeta siguroi medaljen e bronztë dhe vazhdon në gjysmëfinale. Më 28 shkurt për kundërshtare ka boksieren nga Turqia Erginoguz Evin. Duhet cekur se kjo është medalja e parë pas më shumë se 40 vitesh në turneu “Stranxha”.

Donjeta gjithnjë e më shumë po tregon se nuk është rastësisht ndër boksieret më të mira në botë në kategorinë 60 kg.”, shkruan në njoftimin e Federatës së Boksit të Kosovës.

Të mërkurën në ring u ngjit edhe boksieri i kategorisë deri 86 kilogramë, Taulant Jakupi. Por ai humbi nga bullgari, Boldirev Semion.

Për herë të fundit medalje në turneun “Stranxha” kishte fituar Mehmet Bogujevci. Ai e pati fituar medaljen e artë.