Legjenda e pensionuar e Barcelonës dhe e kombëtares spanjolle, Gerard Pique ka paraqitur një ide që duhet të ndihmojë në parandalimin e përfundimit të ndeshjeve në barazim pa gola (0-0).

Ish-mbrojtësi spanjoll do të ndëshkonte skuadrat, ndeshjet e të cilave përfundojnë pa gola, në mënyrë që asnjëra prej tyre të mos fitonte asnjë pikë.

Pique beson se zero pikë në rast të një ndeshje pa gola do t’i detyronte të dyja skuadrat të shkojnë për fitore në minutat e fundit të ndeshjes.

“Diçka duhet të ndryshojë. Nuk mund të jetë që ju të shkoni në një stadium futbolli, të shpenzoni 100, 200 ose 300 euro dhe ndeshja të përfundojë 0-0”.

“Një propozim për t’u marrë parasysh do të ishte që nëse ndeshja përfundon 0-0, skuadrat nuk do të merrnin asnjë pikë. Në minutën e 70-të, ndeshja do të hapej”, ka thënë Pique gjatë një interviste me Iker Casillas.

Si përkujtim, sipas rregullave aktuale, çdo ekipi i jepet një pikë për një barazim të çdo rezultati dhe tre pikë për një fitore.