Një pjesë të madhe të konferencës për medie të enjten, trajneri i Lillet, Bruno Genesio, e shpenzoi duke folur për yllin e Kosovës, Edon Zhegrova.

Ai ka hapur zemrën dhe ka folur për ndikimin që Zhegrova ka pasur dhe do ta ketë për skuadrën e Lillet.

Genesio uron që Zhegrova të kthehet sa më shpejt në fushë pas lëndimit të rëndë.

Zhegrova 25-vjeçar javën e kaluar u kthye në stërvitje, ndërsa për ndeshje pritet të jetë i gatshëm pas disa javësh.

Zhegrova ndeshjen e fundit në kampionatin francez e ka zhvilluar kundër Marseillet në udhëtim. Ai ballafaqim, që i takoi xhiros së 15-të të elitës së futbollit francez, përfundoi 1:1 dhe u zhvillua më 14 dhjetor. Më pas nuk ishte pjesë e skuadrës për 11 ndeshje.

“Më e rëndësishmja është që të kthehet. Një lojtar që është vendimtar, që është i rëndësishëm për ekipin tonë, është një humbje e madhe. Ne do të kemi nevojë për të në fundin e këtij sezoni për t’i arritur qëllimet tona. Nëse nuk e ke lojtarin më të mirë për 3-4 muaj, pa dyshim që forca e ekipit është më e vogël dhe gjithmonë është e vështirë të menaxhohet për një trajner”, ka thënë Genesio në konferencën për medie para ndeshjes kundër PSG-së. Lille e luan të premten ndeshjen ndaj PSG-së në udhëtim. Ndeshja nis në orën 21:05 dhe i takon javës së 24-t të Ligue 1 të Francës.

Kur Genesio tha se Zhegrova është më i miri, pasoi një pyetje tjetër nga një prej gazetarëve të pranishëm në konferencë.

Pra Edoni është lojtari më i mirë në skuadrën e Lille?

“Një nga lojtarët tanë më të mirë”, korrigjon trajneri Genesio.

“Ne kemi folur më herët për Ousmane Dembelen. Pa dashur të bëj krahasim, por ka në një ekip lojtarë që janë të aftë të bëjnë gjëra të mëdha. Nuk më pëlqen të them se fitojmë ndeshje me një individ, sepse për mua ndeshjet fitohen me 11 lojtarë dhe nuk është vetëm një lojtar që fiton ndeshjen, por është një lojtar që ka qenë rregullisht vendimtar. Nëse kujtojmë ndeshjen ndaj Parisit, ai na kthen në 2:1 me talentin dhe individualitetin e tij. Natyrisht, ai është një nga lojtarët më të mirë në ekipin tonë sot. Ne do të luajmë pa të për tre muaj, kështu që sigurisht që është një humbje e madhe”, është shprehur Genesio.

Ish-sulmuesi i Baselit, Zhegrova, kishte formë të mirë këtë edicion me skuadrën franceze. Në 21 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në të gjitha garat ka kontribuuar me tetë gola dhe dy asistime.

Zhegrova me Lillen ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.

“Mungesa e tij lejoi të tjerët të shkëlqejnë, të tregohen dhe të luajnë në pozita që nuk ishin mësuar. Kishte edhe gjëra të mira. Gjithmonë është kështu, por do të kisha preferuar ta kisha me ne 100 %, sepse para operimit, ai nuk luajti thuajse një muaj i aftë 100 %. Nuk duhet të harrojmë as këtë. Do ta kisha preferuar ta kisha 100 % në dispozicion nga fundi i nëntorit e deri më sot, për ekipin për rezultatet tona”, insistoi trajneri i Lillet.

Ai ka folur edhe për të ardhmen e Zhegrovës.

“Pas përfundimit të sezonit aktual, ai do të ketë edhe një vit kontratë me ne. Edoni ka dy zgjidhje. Ose ta vazhdojë kontratën ose të largohet. Unë flas me të dhe ne flasim rregullisht për situatën e tij. Për mua, ajo që është e rëndësishme është që të kthehet. Më pas, çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm, për rastin e tij personal, i takon atij dhe drejtuesve. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Por është e sigurt që duke pasur parasysh situatën e tij sa i përket kontratës, sigurisht që do të ketë një mundësi për t’u larguar”, ka thënë Genesio.

Skuadra e Lillet është duke kërkuar 40 milionë euro për ta liruar sulmuesin e Kosovës, Edon Zhegrova.

Për reprezentuesin e Kosovës kanë shprehur interesim shumë skuadra evropiane për ta transferuar në afatin kalimtar të verës. Prej skuadrave që po insistojnë në transferimin e Zhegrovës janë Napoli dhe Juventusi. Interesim kanë shprehur edhe Roma, Fulhami, Leipzigu dhe Borussia Dortmundi.