Vëllai i boksierit të ndjerë Besar Nimani, ka insistuar se nuk ka asnjë gisht në sulmin e të mërkurës para gjykatës në Bielefeld, në të cilin u plagosën katër persona.
Nimani kishte thënë për “Bild” më herët se familja ka jetuar në frikë të vazhdueshme që nga vrasja e Besarit në marsin e vitit të kaluar.
“Një nga vrasësit e Besarit po ecën i lirë. Që nga vrasja e tij ne kemi jetuar me frikë të vazhdueshme”, tha Nimani.
Besar Nimani ishte qëlluar me 16 plumba më 9 mars të vitit të kaluar.
Dy persona dyshohen për vrasjen e tij. Njëri, Huseyin Akkurt, u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Bruksel. I dyshuari tjetër Aymand Dawoud Kirit është në arrati. Të shtënat të mërkurën ndodhën pas përfundimit të seancës gjyqësore në Bielefeld ndaj Akkurtit.
Në mesin e 4 të plagosurve, raportohet se janë babai dhe vëllai i Akkurtit. Dy të tjerë po ashtu janë plagosur, përfshirë një 23-vjeçar që thuhet se është në gjendje kritike. Mediumi gjerman “WDR” të mërkurën kishte raportuar se dyshohet për një të vdekur në rastin.
Avokati i Nimanit, Peter Wuller, ka thënë se klienti i tij insiston në pafajësi dhe do të dorëzohet në ditët në vijim.
“Kam pasur disa kontakte me z. Nimani menjëherë pas aktit shumë gjakftohtë në mes të ditës në Bielefeld. Ai më kërkoi ta përfaqësoja. E gjithë situata është shumë konfuze. Pasi ta kem marrë një pasqyrë të plotë të rastit dhe të flas me prokurorin publik, klienti im do të shkojë në polici e do të dorëzohet”, tha Wuller. “Berat Nimani më siguron për pafajësinë e tij dhe thotë se nuk kishte asnjë lidhje me të shtënat para gjykatës së qarkut”.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, Nimani nuk gjendet në Bielefeld por në një qytet tjetër. Policia kishte kërkuar në apartamentin e tij.
Dëshmitarët pretendojnë se kanë parë Berat Nimanin dhe motrën e tij në një makinë të zezë që u largua nga vendi i ngjarjes. Pjesëmarrësit në gjyq po ashtu vunë re se të dy u larguan para kohe nga salla e gjyqit.