Eddie Hearn i ka bërë thirrje Anthony Joshuas që ta mbyllë sa më shpejt ndeshjen ndaj Kristian Prengës, duke mos i dhënë as mundësinë më të vogël shqiptarit të prishë planet për një superduel me Tyson Furyn.
Joshua pritet të përballet me Prengën (20 fitore, 1 humbje, 20 fitore me nokaut) të shtunën në Arabinë Saudite. Një fitore e britanikut do t’i hapte rrugën një përballjeje të shumëpritur tërësisht britanike me Tyson Furyn, e planifikuar për në muajin nëntor.
Prenga konsiderohet një kundërshtar jo shumë i njohur në arenën ndërkombëtare. Për shqiptarin, Anthony Joshua do të jetë emri më i madh dhe më i njohur me të cilin është përballur ndonjëherë në karrierën e tij.
Megjithatë, Hearn pranoi se fakti që Prenga i ka fituar të gjitha 20 ndeshjet e tij me nokaut është një element që kërkon kujdes maksimal. Sipas tij, Joshua duhet të godasë i pari dhe të mos i japë mundësi kundërshtarit të shfaqë forcën e tij.
“AJ po e merr këtë ndeshje shumë seriozisht. Prenga ka 20 fitore dhe 20 nokaut, kështu që ai di patjetër të godasë,” tha Hearn për Sky Sports.
“A është ai në nivelin e AJ? Unë nuk besoj. Por ai nuk ka qenë kurrë në atë nivel dhe derisa ta provojë veten, nuk mund ta dish me siguri.”
Sipas promotorit britanik, Prenga është përzgjedhur për të qenë një provë serioze për Joshuan, por një kundërshtar që ai duhet ta mposhtë me stil.
“Prenga u zgjodh që të ishte një test i mirë, një sfidë e fortë, por dikush që AJ duhet ta mposhtë me stil. Megjithatë, boksi në peshat e rënda është gjithmonë i paparashikueshëm.”
Hearn theksoi se Joshua ka kaluar një periudhë të vështirë gjatë shtatë muajve të fundit dhe se ekziston gjithmonë rreziku kur përballesh me një boksier që ka fuqi të madhe goditëse.
“Nuk do të jetë e lehtë. Duhet ta nxjerrësh jashtë loje këtë djalë para se ai të të nxjerrë ty jashtë loje, dhe pikërisht këtë synon të bëjë AJ të shtunën.”
Hearn e sheh përballjen me Prengën si misionin e parë të madh në rrugën e Joshuas drejt rikthimit të titullit botëror të peshave të rënda në vitin 2027.
Sipas tij, sfida e dytë do të ishte dueli shumë ipritur me Tyson Furyn, një ndeshje për të cilën ai beson se Joshua do ta fitojë përpara se të synojë të bëhet kampion bote për herë të tretë.
“Aktualisht AJ është i motivuar të vazhdojë sa më gjatë që të ndiejë se ende e ka atë që duhet. Çdo paraqitje do të na tregojë se ku ndodhet dhe e njëjta gjë vlen edhe për ndeshjen e së shtunës.”
“Në mendjen tonë, nëse fitojmë të shtunën, ai do të përballet me Tyson Furyn në nëntor. Më pas, viti 2027 do të jetë i përqendruar te rikthimi i titullit botëror, pasi brezat e kampionit tani janë të shpërndarë mes disa boksierëve.”
“Në këtë moment, dy detyra të mëdha e presin përpara se të luftojë sërish për titullin botëror. Por, nga mënyra se si flet, fundi i karrierës së AJ nuk është aspak afër.”
Edhe vetë Anthony Joshua e cilësoi duelin me Kristian Prengën si një hap vendimtar drejt objektivave të tij më të mëdhenj.
“E kuptoj se ekziston një pamje më e madhe. Qëllimi është të pushtoj universin. Por, fillimisht duhet të pushtojmë Tokën.”
“Prenga është objektivi im. Trajneri im kundër trajnerit të tij. Fizioterapisti im kundër fizioterapistit të tij. Strategu im kundër strategut të tij. Ky boksier kundër atij boksieri.”
“Realiteti është se nuk ka univers dhe nuk ka të ardhme nëse nuk e kaloj këtë pikë kontrolli të shtunën në mbrëmje.”






