Skuadrës nga Suhareka i duhet ta përmbysë humbjen 2:1 ndaj Bohemiansit për të kaluar në raundin e tretë të Conference League.
Ballkani do ta zhvillojë sonte ndeshjen e kthimit ndaj Bohemiansit, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Skuadra nga Suhareka kthehet në Prishtinë me një gol disavantazh, pasi u mposht 2:1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Dublin. Toni Domgjoni e kaloi Ballkanin në epërsi nga penalltia në minutën e 29-të, por vendësit e përmbysën rezultatin në pjesën e dytë me golat e Douglas James-Taylorit dhe Ross Tierneyt.
Ndeshja e kthimit zhvillohet sonte, më 30 korrik, nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ballkanit i duhet fitore me një gol diferencë për ta dërguar sfidën në vazhdime, ndërsa një triumf me dy ose më shumë gola do t’ia siguronte kualifikimin brenda 90 minutave.
Ballkani e nisi aventurën evropiane duke e eliminuar Connah’s Quay Nomads me rezultat të përgjithshëm 3:2. Tani, kampioni i shumëfishtë i Kosovës synon ta shfrytëzojë fushën vendëse dhe mbështetjen e tifozëve për ta vazhduar rrugëtimin në Evropë.
Gjithçka mbetet e hapur para ndeshjes së kthimit, ndërsa skuadra nga Suhareka ka treguar edhe më parë se di të reagojë në mbrëmjet e mëdha evropiane.






