Skuadra kosovare udhëton në Edinburg në epërsi 2:0 nga ndeshja e parë dhe synon të kthehet me fitore nga “Easter Road”.
Malisheva do ta zhvillojë sonte ndeshjen e kthimit ndaj Hibernianit, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Skuadra kosovare udhëton në Skoci me një epërsi të çmuar prej dy golash. Në ndeshjen e parë, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, Malisheva triumfoi 2:0 falë golave të Kreshnik Ukës në minutën e 21-të dhe Valjmir Nafiut në minutën e 90-të.
Takimi i kthimit zhvillohet sonte, më 30 korrik, nga ora 21:00 në stadiumin “Easter Road” në Edinburg. Malishevës i mjafton fitorja, barazimi ose edhe një humbje me një gol diferencë për të kaluar në raundin e tretë. Nëse Hiberniani fiton me dy gola epërsi, ndeshja shkon në vazhdime.
Një kualifikim do të ishte arritja më e madhe evropiane në historinë e klubit. Malisheva e nisi këtë rrugëtim duke e eliminuar Vllazninë me rezultat të përgjithshëm 6:2, ndërsa tani është vetëm 90 minuta larg një tjetër suksesi të madh.
Fituesi i këtij çifti do të përballet në raundin tjetër me fituesin e duelit Shkëndija–Bravo, çka mund të sjellë një përballje të veçantë mes dy skuadrave shqiptare.






