Vetëm 9 vjeç, por Mars Buleshkaj tashmë e ka gjetur vendin ku dëshiron ta ndërtojë ëndrrën e tij në futboll – mes shtyllave.
Portieri i ri i FC 2 Korrikut është protagonisti i radhës në serinë “N’Radar” të VAR Kosova, përmes së cilës sjellim në vëmendje talentet e rinj dhe punën që ata bëjnë për t’u zhvilluar në sport.
Rrugëtimi i Marsit është interesant edhe për faktin se ai nuk e nisi futbollin si portier. Fillimisht luante si qendërmbrojtës, ndërsa në qershor të vitit 2025, pas një vendimi të përbashkët me trajnerët e tij, kaloi në portë.
Që nga ajo kohë, dorezat janë bërë pjesë e pandashme e tij.
Në videon e realizuar nga VAR Kosova, Marsi shihet gjatë stërvitjeve dhe në ndeshje, duke punuar në pritje, pozicionim dhe reagime mes shtyllave. Pavarësisht moshës së vogël, ai po i merr hapat e parë seriozisht dhe po vazhdon zhvillimin e tij te FC 2 Korriku.
Për Marsin, porta nuk është më vetëm një pozicion në fushë. Është vendi ku po fillon një ëndërr që, me punë dhe përkushtim, mund ta çojë larg.
Shikojeni historinë e Mars Buleshkajt në episodin e ri të “N’Radar”.









