Kuqezinjtë presin Bravon në Shkup me synimin për ta përmbysur rezultatin 2:1 të ndeshjes së parë dhe për ta vazhduar rrugëtimin evropian.
Shkëndija do ta zhvillojë sonte ndeshjen e kthimit ndaj Bravos së Sllovenisë, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Kuqezinjtë nga Tetova hyjnë në këtë përballje me një gol disavantazh, pasi u mposhtën 2:1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Lubjanë. Endrit Krasniqi e kishte kaluar Shkëndijën në epërsi nga penalltia në minutën e 11-të, por Bravo e përmbysi rezultatin me golat e Rok Kopatinit dhe Jakoslav Stankovićit.
Ndeshja e kthimit zhvillohet sonte, më 30 korrik, nga ora 20:00 në arenën “Toše Proeski” në Shkup. Shkëndijës i duhet fitore me një gol diferencë për ta dërguar sfidën në vazhdime, ndërsa një triumf me dy ose më shumë gola do t’ia siguronte kualifikimin brenda 90 minutave.
Kjo përballje ka edhe një dimension të veçantë shqiptar. Fituesi i çiftit Shkëndija–Bravo do të takohet në raundin e tretë me fituesin e duelit Hibernian–Malisheva. Skuadra kosovare e fitoi ndeshjen e parë 2:0 në Prishtinë dhe është pranë kualifikimit.
Për Shkëndijën, mbështetja e tifozëve në Shkup pritet të jetë një nga armët kryesore në synimin për ta vazhduar aventurën evropiane.






