Ballkani është mposhtur me rezultat 2:1 nga Bohemians në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League, të zhvilluar në stadiumin “Dalymount Park” në Dublin.
Skuadra nga Suhareka e nisi mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 29-të. Toni Domgjoni u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke ia mundësuar Ballkanit që pjesën e parë ta mbyllte me avantazh minimal.
Megjithatë, Bohemians reagoi në pjesën e dytë. Douglas James-Taylor, i aktivizuar nga banka rezervë, barazoi rezultatin në minutën e 76-të, ndërsa më pas asistoi për Ross Tierney, i cili me një goditje të fuqishme në minutat e fundit shënoi golin e fitores për vendasit.
Humbja është e dhimbshme për Ballkanin, sidomos pasi skuadra kosovare ishte në epërsi deri në 15 minutat e fundit të takimit. Megjithatë, diferenca prej vetëm një goli lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Takimi vendimtar do të zhvillohet më 30 korrik në Prishtinë, ku Ballkanit do t’i duhet fitorja për ta përmbysur rezultatin dhe për ta vazhduar rrugëtimin në garat evropiane.






