Vedat Muriqi mund të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës. Sulmuesi i Kosovës ka mbyllur një sezon fantastik në aspektin individual me Mallorcan, duke realizuar 23 gola në La Liga, por paraqitjet e tij nuk mjaftuan për ta shpëtuar skuadrën nga rënia në Segunda División.
Mallorca fitoi 3-0 ndaj Real Oviedos në xhiron e fundit, por megjithatë nuk arriti të mbijetojë në elitën e futbollit spanjoll, pasi përfundoi me pikë të barabarta me Osasunën dhe Levanten, por u dëmtua nga bilanci në përballjet direkte.
Rënia e klubit ka hapur menjëherë diskutimet për të ardhmen e Muriqit. Sipas Cadena SER Mallorca, Galatasaray dhe Fenerbahçe kanë shfaqur interes serioz për sulmuesin kosovar, i cili shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv.
Galatasaray raportohet se ka një avantazh në këtë garë, sidomos për shkak të pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve dhe lidhjeve të Muriqit me futbollin turk. Nga ana tjetër, Fenerbahçe gjithashtu e njeh mirë sulmuesin, pasi ai ka qenë pjesë e klubit turk në të kaluarën.
Kontrata dhe paga e lartë e Muriqit mund të ndikojnë në vendimin e Mallorcas, sidomos tani që klubi do të luajë në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll. Raportimet në Spanjë përmendin edhe një klauzolë prej 30 milionë eurosh, por situata e re sportive mund ta bëjë klubin më fleksibil në negociata.
Për Muriqin, ky sezon mbetet ndër më të mirët e karrierës. Me 23 gola në La Liga, ai u rendit menjëherë pas Kylian Mbappés në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit, duke konfirmuar edhe një herë peshën e tij si një nga sulmuesit më të rëndësishëm shqiptarë në Evropë.
Tani mbetet të shihet nëse “Pirata” do të vazhdojë aventurën në Spanjë, do të rikthehet në Turqi, apo do të zgjedhë një tjetër kampionat të madh evropian. Ajo që është e sigurt, është se pas një sezoni të tillë, emri i Vedat Muriqit pritet të jetë shumë i pranishëm në tregun e transferimeve gjatë kësaj vere.









