Kapiteni i Egjiptit, Mohamed Salah, është rikthyer në stërvitje, duke dhënë sinjale pozitive se rikuperimi i tij nga lëndimi në muskujt e pasëm të kofshës po shkon sipas planit.
Ylli i Liverpoolit u dëmtua në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Iranit, e cila përfundoi me rezultat 1:1, duke ngritur dyshime për paraqitjen e tij në fazën me eliminim direkt.
Megjithatë, fotografitë e publikuara nga Federata Egjiptiane e Futbollit e shfaqin Salahun duke u stërvitur me skuadrën dhe në gjendje të mirë fizike, çka ka rritur optimizmin se ai mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e së premtes kundër Australisë.
Federata egjiptiane e shoqëroi publikimin me një mesazh të shkurtër: “Mbreti është kthyer.”






