KFF Mitrovica ka regjistruar një fitore të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve për femra, duke e mposhtur Zimbru Chişinăun me rezultat të thellë 10:0.
Kampionet e Kosovës dominuan nga minuta e parë dhe e mbyllën pjesën e parë me epërsi 5:0. Edona Kryeziu ishte protagonistja kryesore, duke shënuar katër gola në minutat 13, 17, 42 dhe 44. Ambra Gjegji realizoi golin tjetër të pjesës së parë në minutën e 24-të.
Mitrovica vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe pas pushimit. Aurora Mulliqi realizoi het-trik brenda vetëm 12 minutash, duke shënuar në minutat 49, 58 dhe 61. Blerta Shala e dërgoi rezultatin në 9:0 në minutën e 66-të, ndërsa Bardha Mahmuti e kompletoi fitoren e madhe me golin e minutës së 88-të.
Me këtë triumf bindës, skuadra mitrovicase siguroi kualifikimin në finalen e mini-turneut të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Në finale, Mitrovica do të përballet me kampionen bullgare Ludogorets, e cila në gjysmëfinalen tjetër e mposhti KÍ Klaksvík me rezultat 3:0. Ndeshja vendimtare zhvillohet të shtunën, më 25 korrik, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Fituesja do të avancojë në raundin e dytë kualifikues të garës më të madhe evropiane për klube të femrave.






