Një ndeshje plotë emocione, tension dhe kthesa! Shqipëria e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme përballjen me Finlandën, por një karton i kuq ndryshoi gjithçka.
Kuqezinjtë shpërthyen që në minutat e para. Ishin vetëm 4 minuta lojë kur Kristjan Asllani asistoi për Rey Manaj i cili e dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën kuq e zi.
Por festa nuk zgjati shumë.
Në minutën e 22-të, Shqipëria mori një goditje të madhe. Etrit Berisha u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak. Vendimi i arbitrit shkaktoi protesta të forta nga futbollistët shqiptarë, por verdikti nuk ndryshoi.
Finlanda përfitoi menjëherë nga epërsia numerike. Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 26-të, Leo Walta shënoi dhe riktheu baraspeshën.
Walta fundos kuqezinjtë
Shqipëria u përpoq të rezistonte dhe të mbante gjallë shpresat, por Finlanda e gjeti sërish rrjetën. Në minutën e 71-të, ishte përsëri Leo Walta që goditi, duke shënuar golin e dytë personal dhe duke përmbysur rezultatin.
Nga aty, kuqezinjtë u hodhën në kërkim të reagimit, ndërsa trajneri bëri disa ndryshime për të freskuar skuadrën. Në fushë u aktivizuan edhe Mirlind Daku, Myrto Uzuni, Juljan Shehu dhe Anis Mehmeti. Por, pavarësisht përpjekjeve, Shqipëria nuk arriti të ndryshojë fatin e takimit.
Pas 90+7 minutash, arbitri dha sinjalin e fundit.
Një fillim ëndrrash me golin e Manajt, një karton i kuq që tronditi kuqezinjtë dhe më pas përmbysja e Finlandës me dy gola të Waltës.
Një natë plot dramë për Shqipërinë, ku gjithçka ndryshoi në vetëm pak minuta.
Pas kësaj humbje, Shqipëria renditet e dyta në tabelën e grupit me 6 pikë, pas Finlandës e cila ka gjithsej 7 pikë. Belarusia renditet ne vendin e 3-të me 4 pikë, dhe San Marino pa asnjë pikë.










