Drita është vetëm dy ndeshje larg fazës së play-off-it, ndërsa sfidën e parë do ta luajë jashtë Kosovës.
Drita do ta vazhdojë rrugëtimin evropian përballë Tre Fiorit, kampionit të San Marinos, në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League.
Gjilanasit siguruan kalimin tutje pasi eliminuan Florianën me rezultat të përgjithshëm 3-2. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, Drita fitoi 2-1 pas vazhdimeve në “Fadil Vokrri”.
Sipas kalendarit zyrtar të UEFA-s, ndeshja e parë mes Tre Fiorit dhe Dritës do të zhvillohet të enjten, më 6 gusht, në San Marino. Takimi i kthimit do të luhet të enjten, më 13 gusht, në Kosovë, me kampionët e Kosovës në rolin e vendasit. UEFA ende nuk ka publikuar stadiumet dhe oraret e sakta të dy ndeshjeve.
Tre Fiori e nisi edicionin evropian në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa tani garon në Conference League. Skuadra nga San Marino e fitoi kampionatin vendor në edicionin e kaluar.
Për Dritën kjo përballje paraqet mundësi të mirë për të vazhduar edhe më tej aventurën evropiane dhe për t’iu afruar fazës së “play-off”-it të Conference League.






