Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar me dhimbje pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Erdogan Celina.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Ademi e ka përshkruar Celinën si një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të futbollit të Kosovës, duke theksuar se ai ishte jo vetëm një futbollist ikonë, por edhe lider dhe model për gjenerata të tëra.
“Erdogani i përkiste brezit të artë të futbollit të Kosovës, një gjenerate që me talentin, karakterin dhe dashurinë për futbollin ndërtoi kapituj të rëndësishëm të historisë së këtij sporti”, ka shkruar Ademi.
Celina gjatë karrierës së tij mbrojti ngjyrat e Prishtinës, ndërsa ishte pjesë edhe e gjeneratës historike të Trepçës, me të cilën arriti deri në finalen e Kupës së Jugosllavisë në vitin 1978.
Kreu i FFK-së ka veçuar sidomos karakterin dhe autoritetin që Celina kishte brenda dhe jashtë fushës.
Sipas Ademit, ai ishte “kapiten i një gjenerate të tërë futbollistësh të Kosovës”, ndërsa respektin nuk e fitoi vetëm përmes shiritit të kapitenit, por përmes personalitetit, korrektësisë, profesionalizmit dhe mënyrës së tij të veçantë të komunikimit.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Celina vazhdoi t’i shërbente futbollit edhe si trajner, duke punuar me klubet kosovare dhe brezat e rinj. Ndër të tjera, ai drejtoi Lirinë e Prizrenit dhe kontribuoi edhe në ekipin kombëtar U21 të Kosovës.
Ademi ka theksuar se Celina nuk la pas vetëm rezultate dhe kujtime sportive, por edhe vlera, respekt e miqësi.
“Me ndarjen e Erdogan Celinës, futbolli i Kosovës humbi një prej figurave të tij ikonike, ndërsa komuniteti ynë sportiv humbi një personalitet të rrallë, një lider të një gjenerate dhe një njeri të shkëlqyer”, ka shkruar presidenti i FFK-së.
Në emër të tij dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ademi u ka shprehur ngushëllime familjes Celina, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit të futbollit.
Mesazhin prekës, Ademi e ka përmbyllur me këto fjalë: “Lamtumirë, Erdogan! Emri yt dhe kontributi yt do të jenë gjithmonë pjesë e historisë sonë. U prehsh në paqe miku im! 🕊️”









