Ylber Ramadani ka mbyllur një sezon të jashtëzakonshëm në Serie A, duke u renditur si lojtari me më së shumti kilometra të përshkuara në kampionatin italian për edicionin 2025/26.
Mesfushori i Lecces ishte një nga futbollistët më punëtorë dhe më konstantë të sezonit, pasi mbuloi gjithsej 421.58 kilometra, shifër që e vendos në krye të listës së lojtarëve me intensitetin më të lartë fizik në Serie A.
Pas tij renditet mesfushori i Romës, Bryan Cristante, me 412.44 kilometra, ndërsa vendin e tretë e zë Morten Frendrup i Genoas, me 403.62 kilometra.
Kjo statistikë e konfirmon Ramadanin si një nga mesfushorët më të rëndësishëm të kampionatit italian. Ai ka spikatur jo vetëm për ndërhyrjet, ekuilibrin dhe disiplinën taktike në mesfushë, por edhe për energjinë dhe punën e palodhur në çdo ndeshje.
Paraqitjet e tij të vazhdueshme kanë tërhequr vëmendje në Itali, ku Ramadani vlerësohet si një nga lojtarët më të përgatitur fizikisht dhe më të disiplinuar taktikisht. Me këtë ritëm, ai është shndërruar në një pikë kyçe për Leccen gjatë gjithë sezonit.









