Lajmet

Ylli fiton ndaj Sigal Prishtinës në sekondën e fundit

Sigal Prishtina ishte për pjesën më të madhe në epërsi ndaj Golden Eagle Yllit në ndeshjen që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Por, fitores në xhiron e...

March 05, 2026
2 min lexim
Ylli fiton ndaj Sigal Prishtinës në sekondën e fundit

Sigal Prishtina ishte për pjesën më të madhe në epërsi ndaj Golden Eagle Yllit në ndeshjen që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Por, fitores në xhiron e 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll në fund iu gëzua skuadra suharekase.

Ylli të enjten mbrëma fitoi me pikët e shënuara nga Tyreek Smith në sekondën e fundit. Smith, i cili e mbylli ndeshjen me 21 pikë, pesë kërcime e një asistim, shënoi për 82:80.

Dhe me këtë fitore, Golden Eagle Ylli mbetet në pozitën e pestë me 31 pikë, kurse Sigal Prishtina me 30 pikë mbetet në pozitën e shtatë, përkatësisht të parafundit.

Ylli i ka nëntë fitore e 13 humbje, kurse Sigal Prishtina tetë fitore e 14 humbje. Për Sigal Prishtinën ishte humbja e pestë e njëpasnjëshme, kurse Ylli e ndali ecurinë e katër humbjeve rresht.

Golden Eagle Ylli e fitoi çerekun e parë 26:21, ndërsa Sigal Prishtina u kundërpërgjigj në çerekun e dytë të cilin e fitoi 27:22, dhe pjesa e parë u mbyll baras, 48:48.

Me rezultatin 20:13, Sigal Prishtina e fitoi çerekun e tretë, ndërsa periudhën e fundit e nisi me shtatë pikë epërsi, 68:61.

Mysafirët ngadalë e shkrinë rezultatin kurse barazimi erdhi 46 sekonda para fundit. Edhe pikët e barazimit 80:80 i shënoi Smith.

Altin Morina dështoi të shënonte, ndërsa më pas përfitoi Smith që e vendosi sfidën.

Kontribut në fitore dhanë edhe Erjon Kastrati që i shënoi 13 pikë, ndërsa Scott Bamforth e mbylli ndeshjen me 12 pikë.

Deondre Burns u dallua te Sigal Prishtina me 22 pikë, pesë kërcime e një asistim.

Etiketat

#Lajmet