Sipas raportimeve të disa mediave italiane, Albion Rrahmani do të jetë përforcimi më i ri i Venezias, pasi klubi italian ka arritur marrëveshje me Sparta Pragën për transferimin e sulmuesit kosovar.
Marrëveshja është arritur për 7.5 milionë euro, ndërsa klauzolat e bonusit mund ta çojnë vlerën totale të transferimit në 9.5 milionë euro.
Përveç kësaj, Sparta Prague do të përfitojë edhe 10 për qind të shumës së një transferimi të ardhshëm të lojtarit.
Rrahmani, i cili muajin e ardhshëm mbush 26 vjeç, iu bashkua Spartës së Pragës dy vite më parë nga Rapidi për 5 milionë euro.
Sulmuesi kosovar zhvilloi një sezon mjaft pozitiv me klubin çek, duke shënuar 16 gola dhe duke dhuruar katër asistime në 49 ndeshje zyrtare. Ai la gjurmë edhe në Ligën e Konferencës, ku realizoi katër gola në 13 paraqitje.
Me fanellën e kombëtares së Kosovës, Rrahmani ka zhvilluar 25 ndeshje, duke realizuar shtatë gola dhe një asistim, që nga debutimi i tij në shtator të vitit 2023.
Nga ana tjetër, Venezia rikthehet në Serie A pas fitimit të titullit në Serie B sezonin e kaluar.
Klubi venecian, i drejtuar nga trajneri Giovanni Stroppa, synon të forcojë repartin ofensiv përpara nisjes së sezonit të ri në elitën e futbollit italian.






