Drita do ta luajë sonte një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit evropian. Kampionia e Kosovës përballet me Inter D’Escaldes në Andorrë, në ndeshjen kthyese të fazës “play-off” të Ligës së Konferencës.
Takimi nis nga ora 19:00, ndërsa pas barazimit 2:2 në ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, gjithçka mbetet e hapur sa i përket kualifikimit.
Në Prishtinë, Drita kishte kaluar dy herë në epërsi, fillimisht përmes Hajdin Salihut dhe më pas Blerim Krasniqit, por skuadra nga Andorra ishte rikthyer në të dyja rastet për ta mbyllur takimin 2:2.
Një fitore sonte do t’ia siguronte Dritës pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League për edicionin e dytë radhazi. Gjilanasit e arritën këtë sukses edhe sezonin e kaluar dhe tani synojnë ta përsërisin rrugëtimin evropian.
Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu ka udhëtuar në Andorrë me synimin e qartë për ta vazhduar aventurën evropiane. Pas 90 minutave të barabartë në Prishtinë, sonte Drita e ka mundësinë që edhe një herë ta vendosë emrin e saj në fazën kryesore të një gare të UEFA-s.









