Kampionia e Kosovës, Drita, është eliminuar në mënyrë dramatike nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve, pasi pësoi humbje 3:2 nga Kauno Žalgiris në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë në Lituani, gjilanasit hynë në fushë me besim të madh se mund ta siguronin kualifikimin para tifozëve të tyre. Megjithatë, mysafirët kaluan në epërsi që në minutën e nëntë, me golin e Vykintas Slivkas.
Drita reagoi shpejt. Igball Jashari e barazoi rezultatin në minutën e 20-të, duke rikthyer entuziazmin në tribuna. Në pjesën e dytë, Arb Manaj shënoi për 2:1 dhe për disa minuta dukej se kampionia e Kosovës po ecte drejt raundit të ardhshëm.
Por fundi i ndeshjes u shndërrua në një dramë të vërtetë. Slivka realizoi përsëri, duke e barazuar rezultatin në 2:2, ndërsa në minutat shtesë Kauno Žalgiris fitoi penallti. Amine Benchaib u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe shënoi golin vendimtar për rezultatin 3:2.
Me rezultat të përgjithshëm 4:3, skuadra lituaneze siguroi kualifikimin, ndërsa Dritës iu shua ëndrra për të vazhduar në Ligën e Kampionëve.
Një eliminim tepër i dhimbshëm për gjilanasit, të cilët ishin shumë pranë kualifikimit, por nuk arritën ta ruanin epërsinë në minutat vendimtare. Drita tregoi karakter dhe luftoi deri në fund, por gabimet në fazën përfundimtare i kushtuan shtrenjtë.
Megjithatë, aventura evropiane e kampiones së Kosovës nuk përfundon këtu. Sipas formatit zyrtar të UEFA-s, Drita do të vazhdojë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me humbësin e duelit Floriana–Shamrock Rovers.
Ëndrra e Championsit përfundoi, por rrugëtimi i Dritës në Evropë vazhdon.





