Dukagjini do ta nisë sonte rrugëtimin evropian me një përballje të vështirë në Zvicër, ku do të jetë mysafir i Luganos në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Takimi zhvillohet në stadiumin e ri “AIL Arena” në Lugano, me fillim nga ora 20:30. Kjo do të jetë njëkohësisht ndeshja e parë zyrtare e Luganos në stadiumin e ri dhe hapja e sezonit 2026/27 për skuadrën zvicerane.
Dukagjini e siguroi pjesëmarrjen në garat evropiane pas triumfit në Kupën e Kosovës, ku në finale e mposhti Ferizajn me rezultat 2:1. Skuadra nga Klina rikthehet në Evropë pas tre vjetësh, ndërsa përballë do të ketë një kundërshtar që konsiderohet favorit i këtij dueli.
Trajneri i Luganos, Mattia Croci-Torti, e ka vlerësuar Dukagjinin si një ekip luftarak, që vrapon gjatë gjithë ndeshjes, ushtron presion dhe paraqet rrezik nga ndërprerjet. Ai ka paralajmëruar lojtarët e tij se nuk duhet ta nënvlerësojnë përfaqësuesin kosovar.
Dukagjini do të synojë një rezultat pozitiv në Lugano, për ta mbajtur të hapur çështjen e kualifikimit para ndeshjes së kthimit, e cila zhvillohet më 29 korrik në Kosovë.






