Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, do të rikthehet në stadiumin “St. Jakob-Park”, aty ku hodhi hapat e tij më të rëndësishëm në futbollin evropian me fanellën e FC Baselit.
Klubi zviceran ka kujtuar kontributin e Zhegrovës, duke theksuar se pas një periudhe të suksesshme te Baseli, ai u transferua te Lille, ku në 107 ndeshje zyrtare realizoi 26 gola dhe kontribuoi me 18 asistime.
Baseli ka bërë të ditur se, pas transferimit të tij te Juventusi gjatë verës së kaluar, Zhegrova pritet të rikthehet të shtunën në “St. Jakob-Park” për një ndeshje miqësore, duke u përballur për herë të parë me ish-ekipin e tij si kundërshtar, nëse nuk ka ndonjë ndryshim të papritur.
Gjithashtu, klubi ka njoftuar se tifozët mund të ndjekin një intervistë të shkurtër me ish-lojtarin e tyre në faqen zyrtare të FC Basel, ndërsa ka ftuar të interesuarit të sigurojnë biletat për përballjen ndaj Juventusit.
“Pas periudhës së tij të suksesshme te FC Basel, rrugëtimi i Edon Zhegrovës vazhdoi te Lille, ndërsa tani ai rikthehet për herë të parë në ‘St. Jakob-Park’ si kundërshtar,” thuhet në njoftimin e publikuar nga FC Basel.






