Golat e lehtë shuan ëndrrën evropiane të Malishevës – videoja e ndeshjes i thotë të gjitha
Malisheva e mbylli aventurën evropiane në mënyrën më të dhimbshme. Skuadra kosovare u mposht 4:1 nga Hibernian në Edinburg dhe u eliminua me rezultat të përgjithshëm 4:3, pavarësisht fitores së madhe 2:0 në ndeshjen e parë.
Avantazhi prej dy golash duhej të ishte një bazë e fortë për kualifikim, por ai u shkri brenda vetëm 15 minutave. Malisheva pësoi golin e parë në minutën e nëntë, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë rezultati i përgjithshëm ishte barazuar.
Problemi nuk ishte vetëm presioni i madh i Hibernianit. Ishte mënyra tepër e lehtë se si Malisheva i lejoi kundërshtarit të arrinte deri te golat.
Te goli i parë, Owen Elding u lirua shumë lehtë në zonë dhe realizoi në këndin e afërt. Te i dyti, mbrojtja nuk arriti ta largonte një top të devijuar, duke ia dhuruar Felix Passlackut mundësinë të shënonte nga afërsia. Ndërsa te goli i tretë, Nathan Lowe mbeti i pambuluar pranë portës dhe realizoi me kokë në minutën e 35-të.
Tre gola të pranuar brenda 35 minutave ishin goditje tepër e rëndë për një skuadër që kishte udhëtuar në Skoci me dy gola epërsi.
Edhe goli i katërt tregoi problemet e Malishevës në fazën defensive. Martin Boyle depërtoi përgjatë zonës, kaloi disa futbollistë dhe goditi saktë, pa u ndalur nga mbrojtësit e skuadrës kosovare.
Omer Bajraktari shënoi një gol të bukur në minutën e 84-të dhe riktheu për pak çaste shpresën, por Malisheva nuk arriti ta gjente golin që do ta dërgonte ndeshjen në vazhdime.
Malisheva mund të largohet me kokën lart për paraqitjen në Evropë dhe për fitoren historike të arritur në ndeshjen e parë. Megjithatë, eliminimi mbetet i dhimbshëm, sepse erdhi pas golave që mund dhe duhej të evitoheshin.
Në këtë nivel, gabimet e tilla nuk falen.
Këtë e dëshmon më së miri edhe videoja e ndeshjes, të cilën e sjell VAR Kosova: golat e pranuar ishin tepër të lehtë për një ndeshje ku në lojë ishte kualifikimi në raundin tjetër të garave evropiane.






