Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim Edona Lekun, kampionen e Evropës në futbollin amerikan me kombëtaren e Finlandës.
Leku është pjesë e përfaqësueses finlandeze të femrave dhe luan në repartin ofensiv. Ajo ishte pjesë e skuadrës së Finlandës që në gusht të këtij viti triumfoi në finalen e Kampionatit Evropian, duke mposhtur Gjermaninë me rezultat 6–0.
Gjatë takimit, Lladrovci është njoftuar me karrierën sportive të Lekut, rrugëtimin e saj në futbollin amerikan, si dhe me arritjet e komunitetit shqiptar në Finlandë.
Kryetari i Drenasit e përgëzoi sportisten për sukseset e saj dhe kontributin në triumfin e kombëtares finlandeze, duke vlerësuar njëkohësisht lidhjen e saj të vazhdueshme me Kosovën dhe familjen në Drenas.
Në shenjë mirënjohjeje për sukseset sportive, Lladrovci i ndau Edona Lekut një Mirënjohje dhe i dhuroi librin e Bedri Islamit “Përjetësia e dyfishtë”, kushtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, si dhe një medaljon të punuar nga gratë e Drenasit.
Nga ana tjetër, Edona Leku i dhuroi kryetarit Lladrovci fanellën e saj me numrin 77.
“Faleminderit Edonë, krenar me arritjet tuaja dhe dashurinë për atdheun”, ka shkruar Lladrovci pas takimit.
Suksesi i Lekut përbën një tjetër arritje të rëndësishme të një sportisteje shqiptare në arenën ndërkombëtare, këtë herë në një sport ende relativisht të pazakontë për publikun në Kosovë.









