Tifogrupi i Dritës, “Intelektualët”, u shfaq në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj pasi kishin kaluar më shumë se 20 minuta nga fillimi i ndeshjes ndërmjet Drenicës dhe Dritës, e cila përfundoi me rezultat 1-1.
Forca të shtuara të Policisë së Kosovës ishin të pranishme në stadium, ndërsa tifozët mysafirë u vendosën në tribunat e destinuara për ta.
“Intelektualët” krijuan një atmosferë të zjarrtë me brohoritjet dhe mbështetjen e tyre për Dritën, mirëpo përballë tyre mungonte tifogrupi vendas, “Shqiponjat e Zeza”, i cili prej disa ndeshjesh nuk po e mbështet Drenicën nga tribunat.
Për të kuptuar arsyet e mungesës së “Shqiponjave të Zeza”, VAR Kosova ka kontaktuar përfaqësues të klubit dhe ka siguruar informacione nga burime të afërta me situatën.
Sipas informacioneve që ka siguruar VAR Kosova, mungesa e tifogrupit lidhet me një mosmarrëveshje që ka lindur pas ndryshimeve në kryesinë e Drenicës, përkatësisht me kërkesën e tifozëve për sigurimin e një hapësire të veçantë për ta.
Burimet e VAR Kosova kanë bërë të ditur se tifozët janë të revoltuar me drejtuesit e klubit, pasi pretendojnë se kërkesat e tyre nuk po marrin zgjidhje. Sipas këtyre informacioneve, tifozëve tashmë u është “mbushur kupa” dhe janë shprehur se “janë lodhur duke dhënë gjithçka për Drenicën”.
Për të marrë edhe qëndrimin zyrtar të klubit, VAR Kosova ka biseduar me presidentin e Drenicës, Halim Bajraktari, i cili ka sqaruar arsyet e kësaj situate.
Bajraktari ka deklaruar se kanë kaluar katër muaj që kur ai ka marrë drejtimin e klubit dhe se gjatë kësaj periudhe “Shqiponjat e Zeza” nuk kanë qenë të pranishme në asnjërën prej ndeshjeve të Drenicës.
Presidenti ka bërë të ditur se tifogrupi ka kërkuar një lokal në hapësirat e palestrës sportive “Ilaz Kodra”, mirëpo, sipas tij, sigurimi i një hapësire të tillë nuk është në kompetencën e tij.
Megjithatë, Bajraktari është shprehur i gatshëm që tifogrupit t’i ofrojë një nga lokalet që ndodhen në stadiumin “Bajram Aliu”.
Pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Drenicës dhe Dritës, është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve të tifogrupit “Shqiponjat e Zeza” dhe presidentit Halim Bajraktari.
VAR Kosova ka mësuar se gjatë këtij takimi tifogrupit i është ofruar një lokal në hapësirat e stadiumit “Bajram Aliu”.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse do të realizohet kërkesa fillestare e tifozëve për sigurimin e një hapësire brenda palestrës sportive “Ilaz Kodra”, e cila ka qenë në qendër të mosmarrëveshjes mes palëve.
VAR Kosova ka kontaktuar gjithashtu drejtorin sportiv të Drenicës, Granit Koci, për të marrë më shumë informacione lidhur me raportet ndërmjet drejtuesve të klubit dhe tifogrupit.
Koci ka bërë të ditur se presidenti i klubit është në bisedime me tifogrupin për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Ne kemi pasur përherë raporte shumë të mira me tifozët”, ka deklaruar Koci për VAR Kosova.
Pavarësisht ofertës së bërë pas takimit, mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare dhe nëse “Shqiponjat e Zeza” do të rikthehen në tribunat e stadiumit “Bajram Aliu” për ta mbështetur Drenicën.










