Klubi i Notit “Dielli” nga Skenderaj ka paralajmëruar se mund të pezullojë pjesëmarrjen në aktivitetet e organizuara nga Federata e Notit e Kosovës (FNK), duke pretenduar se sportistët e tij janë dëmtuar dhe diskriminuar në proceset e përzgjedhjes dhe përfaqësimit.
Në një reagim publik, klubi ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar seriozisht këtë mundësi pas, siç thonë, “një sërë vendimesh dhe veprimesh” që kanë ndikuar negativisht te klubi dhe notarët e tij.
“Nuk bëhet fjalë për një vendim të lehtë. Përkundrazi, ne kemi punuar vazhdimisht për zhvillimin e notit në Kosovë, duke investuar në sportistë, trajnerë dhe të ardhmen e këtij sporti”, thuhet në reagimin e klubit.
“Dielli” ka ngritur veçanërisht shqetësime për kriteret e përdorura në përzgjedhjen e sportistëve për garat ndërkombëtare, duke përmendur Kampionatin Evropian në Paris dhe Lojërat Mesdhetare në Taranto.
“Por nuk mund të heshtim kur sportistët tanë, pavarësisht rezultateve dhe punës së tyre, sipas nesh nuk trajtohen me të njëjtat kritere në përzgjedhje dhe përfaqësim”, ka deklaruar klubi.
Nga Klubi i Notit “Dielli” kërkojnë që Federata të ofrojë sqarime dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë sportistët.
“Ne kërkojmë vetëm një gjë: drejtësi, transparencë dhe kritere të njëjta për të gjithë sportistët dhe klubet”, thuhet më tej në reagim.
Klubi ka paralajmëruar se, në rast se shqetësimet e ngritura nuk marrin një përgjigje institucionale, mund të ndërmarrë masa më të forta.
“Nëse këto shqetësime nuk marrin përgjigje të arsyeshme dhe institucionale, Klubi i Notit ‘Dielli’-Skenderaj do të shqyrtojë seriozisht të gjitha opsionet që i lejojnë rregulloret, përfshirë edhe pezullimin e pjesëmarrjes në aktivitetet e FNK-së”, thuhet në deklaratë.
Në fund, klubi ka theksuar se nuk synon konflikt me Federatën, por kërkon që rezultatet sportive të jenë kriteri kryesor për vlerësimin dhe përzgjedhjen e notarëve.
“Nuk duam konflikt me askënd. Duam respekt për sportistët tanë. Duam që rezultatet të flasin në pishinë. Dhe duam që të gjithë notarët të maten me të njëjtin standard”, përfundon reagimi i Klubit të Notit “Dielli” nga Skenderaj.









