Malisheva dhe Vllaznia e Shkodrës do ta zhvillojnë sot ndeshjen e kthimit në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Përballja vendimtare fillon në orën 16:30 dhe zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali, siç është konfirmuar nga UEFA.
Vllaznia vjen në Kosovë me epërsi minimale, pasi ndeshjen e parë në stadiumin “Loro Boriçi” e fitoi me rezultat 2:1. Malisheva kishte kaluar e para në epërsi përmes Laurent Xhylanit, por shkodranët e përmbysën rezultatin me golat e Klinti Qatos dhe Emiljano Mustës.
Skuadrës kosovare i nevojitet një fitore me një gol dallim për ta dërguar ndeshjen në vazhdime, ndërsa triumfi me dy ose më shumë gola do t’ia siguronte kualifikimin brenda 90 minutave. Vllaznisë i mjafton edhe barazimi për të kaluar në raundin tjetër.
Pavarësisht humbjes në Shkodër, Malisheva tregoi se mund t’i krijojë probleme kundërshtarit dhe sot do ta kërkojë përmbysjen për ta vazhduar aventurën evropiane.
Gjithçka mbetet e hapur para 90 minutave vendimtarë në Hajvali.






