Dueli i javës së dytë në Superligë zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”, me fillim nga ora 16:30.
Malisheva dhe Drenica përballen sot në një prej dueleve më interesante të javës së dytë në Superligën e Kosovës.
Takimi zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”, me fillim nga ora 16:30, ku skuadra vendase do të kërkojë ta vazhdojë startin e fuqishëm të sezonit të ri.
Malisheva e hapi kampionatin në mënyrë bindëse, duke e mposhtur Vushtrrinë si mysafire me rezultat 6:1. Ky triumf e vendosi skuadrën nga Malisheva në krye të tabelës pas xhiros së parë dhe i dha sinjal të qartë rivalëve për ambiciet e saj në këtë edicion.
Në anën tjetër, Drenica e nisi sezonin me një barazim pa gola ndaj Dukagjinit në Skenderaj. Kuqezinjtë u treguan të organizuar në mbrojtje, por në Malishevë do të synojnë të jenë më konkretë në fazën e sulmit dhe ta regjistrojnë fitoren e parë.
Përballjet e fundit mes këtyre dy skuadrave kanë dhuruar gola dhe rezultate të ndryshme. Në maj, Malisheva fitoi 4:1 në “Liman Gegaj”, ndërsa Drenica kishte triumfuar 4:2 në Skenderaj dy muaj më herët.
Tri pikët do ta mbanin Malishevën me bilanc perfekt pas dy ndeshjeve, ndërsa një fitore e Drenicës do ta çonte skuadrën nga Skenderaj në kuotën e katër pikëve dhe do ta konfirmonte si rival të vështirë në fillim të sezonit.









