Malisheva do ta vazhdojë sot rrugëtimin evropian me një përballje të fortë ndaj skuadrës skoceze Hibernian, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Ndeshja e parë zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 16:30. Përballja e kthimit do të luhet më 30 korrik në Skoci.
Skuadra nga Malisheva vjen në këtë sfidë pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme ndaj Vllaznisë së Shkodrës. Pasi u mposht 2:1 në ndeshjen e parë, Malisheva realizoi përmbysje të madhe në Prishtinë, duke triumfuar 5:0 dhe duke u kualifikuar me rezultat të përgjithshëm 6:2.
Përballë saj do të jetë Hiberniani, skuadër me traditë në futbollin skocez, e cila e siguroi pjesëmarrjen në Evropë pasi e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e pestë. Skocezët hyjnë në garë pikërisht nga raundi i dytë dhe konsiderohen favoritë, por forma e treguar nga Malisheva ndaj Vllaznisë jep shpresë për një tjetër mbrëmje të madhe evropiane.






