Real Madridi do ta nisë sezonin 2026/27 të La Ligës më vonë se ekipet tjera, pasi drejtuesit e kampionatit spanjoll kanë vendosur të shtyjnë ndeshjen hapëse të klubit madrilen për shkak të angazhimit të disa lojtarëve në fazën finale të Kupës së Botës 2026.
Sipas raportimeve, vendimi lidhet me rregulloren që u garanton futbollistëve një periudhë minimale pushimi dhe përgatitjeje pas përfundimit të Botërorit, veçanërisht në rastet kur ata arrijnë deri në gjysmëfinale ose finale.
Real Madridi është një nga klubet më të prekura nga ky kalendar, pasi disa prej yjeve të tij vazhdojnë garën me kombëtaret respektive. Nga njëra anë janë francezët Kylian Mbappé, Aurélien Tchouaméni dhe Ibrahima Konaté, ndërsa nga ana tjetër Brahim Díaz me Marokun. Meqenëse Franca dhe Maroku do të përballen në çerekfinale dhe njëra prej tyre do të sigurojë vend në gjysmëfinale, është e garantuar që të paktën një futbollist i Real Madridit do të jetë ende në garë në fazat vendimtare të Botërorit.
Për këtë arsye, ndeshja e planifikuar e Real Madridit ndaj Real Sociedadit në javën e parë të kampionatit pritet të zhvillohet në një datë tjetër, duke i dhënë lojtarëve kohën e nevojshme për rikuperim dhe përgatitje para rikthimit në klub.
Ky ndryshim mund të ndikojë edhe në kalendarin e disa skuadrave të tjera të La Ligës, në varësi të ecurisë së lojtarëve të tyre në Kupën e Botës, ndërsa organizatorët pritet të publikojnë së shpejti datat e reja të ndeshjeve të shtyra.






