Xherdan Shaqiri, futbollisti që mahniti botën e futbollit çdo dy vjet me gola të jashtëzakonshëm për Zvicrën, nuk e kishte të njëjtin shkëlqim edhe në nivel klubesh. Ndonëse luajti në klube të mëdha dhe fitoi trofe, nuk ishte vendimtar në skuadrat ku bëri karrierë dhe nuk shkëlqeu si me fanellën helvetike.
Kështu ka shkruar të premten mediumi spanjoll, Mundo Deportivo, në një shkrim për Shaqirin.
Por, Shaqiri pati momente shumë të mira sa ishte pjesë e Bayern Munichut, Liverpoolit e Interit.
Shaqiri 34-vjeçar tani është pjesë e Baselit. Me skuadrën e fëmijërisë të dielën do të luajë në miqësore ndaj Barcelonës, që e njeh mirë nga e kaluara, vazhdon shkrimin mediumi spanjoll.
Futbollisti nga Kosova dy herë ka luajtur ndaj Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe dy herë ka fituar me rezultatin 4:0.
Herën e parë, në vitin 2013, kishte fituar me Bayern Munichun dhe luajti një minutë, ndërsa në vitin 2019 me Liverpoolin, ishte titullar dhe asistoi në golin për 3:0.
Ndaj Barcelonës do të luajë sërish pas shtatë vjetësh, në ndeshjen që zhvillohet në “St. Jakob-Park”.









