Lorik Cana ka zbuluar se vendimi për të vazhduar karrierën edhe për një sezon, pavarësisht një problemi serioz në zemër, ishte i lidhur drejtpërdrejt me një objektiv të vetëm: të ndihmonte Kombëtaren shqiptare të përfundonte rrugëtimin drejt kualifikimit historik në Kampionatin Europian.
Në një intervistë për televizionin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ish-kapiteni i kuqezinjve tregoi se në verën e vitit 2015 ishte shumë pranë përfundimit të menjëhershëm të karrierës. Cana kishte planifikuar të largohej nga Lazio dhe të transferohej në Katar, ku e priste një kontratë trevjeçare, por kontrollet mjekësore zbuluan se problemi i tij shëndetësor ishte shumë më serioz nga sa kishte ditur deri atëherë.
Sipas Canës, mjekët i kishin rekomanduar të mos vazhdonte më të luante futboll profesionist për shkak të problemit kardiologjik. Megjithatë, në atë moment ai mori vendimin që të kërkonte një mënyrë për ta shtyrë tërheqjen edhe për një vit.
“Qëllimi ishte me luajtur edhe një vit. Sigurisht që u kuptua pse, sepse do doja që të kualifikohemi me Kombëtaren edhe të kemi mundësi të shkojmë në Europian, meqenëse kishim bërë një rrugëtim deri atëherë të jashtëzakonshëm”, tregoi Cana.
Në kërkim të një klubi ku gjendja e tij shëndetësore mund të menaxhohej dhe njëkohësisht të kishte mundësi të luante rregullisht, Cana përfundoi te Nantes më 31 gusht 2015. Klubi francez, sipas tij, ishte ndër të paktët që pranoi ta merrte përsipër situatën dhe t’i mundësonte të vazhdonte karrierën.
Për ish-kapitenin kuqezi, Nantes nuk ishte thjesht destinacioni i fundit në rang klubesh. Ishte mundësia për të qëndruar në formë për ndeshjet vendimtare të Kombëtares në shtator dhe tetor dhe, më pas, për Kampionatin Europian.
Shumë pak persona e dinin se Cana kishte vendosur që Europiani do të ishte fundi i karrierës së tij. Përveç familjes, në dijeni ishte edhe trajneri i atëhershëm i Shqipërisë, Gianni De Biasi.
“Shumë pak e dinin që do të ishte e fundit, që nuk do të luaja më pas. Përveç familjarëve të mi, Gianni De Biasi ishte në dijeni. Duhej ta menaxhonim situatën që lajmi të mos dilte”, rrëfeu Cana.
Vendimi i tij nuk ishte pritur mirë nga familja. Cana tregoi se prindërit dhe bashkëshortja e tij, e cila në atë periudhë ishte shtatzënë, nuk ishin dakord që ai të merrte një rrezik të tillë. Por vendosmëria e tij për të përfunduar rrugëtimin me Shqipërinë ishte më e madhe.
“U bë nga vendosmëria ime që gjithsesi do të vazhdoja të luaja edhe një vit. Me marrëveshjen që ua dhashë besën se, në momentin që mbaronte ai sezon, kualifikoheshim dhe mbaronte Europiani, atëherë do të tërhiqesha nga futbolli”, tha ai.
Gjatë asaj periudhe, masat e sigurisë ishin të rrepta. Cana tregoi se gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve kërkohej që një defibrilator të ishte gjithmonë pranë fushës. Megjithatë, ai thotë se nuk lejoi që problemi shëndetësor ta ndikonte psikologjikisht.
Sakrifica përfundimisht u shpërblye. Shqipëria siguroi për herë të parë në histori kualifikimin në një Kampionat Europian dhe Cana ishte pjesë e skuadrës që udhëtoi në Francë për EURO 2016.
Për kapitenin që kishte udhëhequr kuqezinjtë për vite me radhë, Europiani ishte destinacioni që kishte vendosur ta arrinte edhe atëherë kur mjekët i kishin kërkuar të ndalej.
Pas përfundimit të EURO 2016, Cana i dha fund karrierës si futbollist, duke e mbyllur atë pikërisht pasi realizoi një nga ëndrrat më të mëdha të futbollit shqiptar: pjesëmarrjen e Shqipërisë në një Kampionat Europian.





