Superliga e Kosovës vazhdon sot me përballjen mes Llapit dhe Dritës, ndeshje që zhvillohet në Podujevë nga ora 15:00, në kuadër të javës së 10-të të kampionatit.
Dy skuadrat hyjnë në këtë takim me objektiva krejtësisht të ndryshme.
Llapi ndodhet në pozitën e nëntë me vetëm katër pikë pas nëntë ndeshjeve, duke regjistruar një fitore, një barazim dhe shtatë humbje. Skuadra nga Podujeva ka shënuar tetë gola, ndërsa ka pranuar 22, duke pasur një prej bilanceve më të dobëta defensive në kampionat.
Në ndeshjen e fundit, Llapi barazoi 0:0 në udhëtim ndaj Feronikelit 74, rezultat që ia ndërpreu serinë e humbjeve, por situata në tabelë mbetet e vështirë.
Në anën tjetër, Drita vjen në Podujevë pas një fitoreje të rëndësishme 1:0 ndaj Ballkanit. Gjilanasit aktualisht kanë 14 pikë nga tetë ndeshje dhe ndodhen në pozitën e pestë, por kanë edhe një ndeshje më pak se shumica e rivalëve direkt.
Një fitore ndaj Llapit do ta çonte Dritën në 17 pikë, duke e afruar edhe më shumë me Malishevën dhe Prishtinën, të cilat aktualisht kryesojnë me nga 20 pikë.
Përballja e parë mes këtyre dy skuadrave këtë sezon solli plot tetë gola. Drita kishte triumfuar 5:3 në Gjilan më 16 gusht, në një prej ndeshjeve më spektakolare të fillimit të sezonit.
Për Llapin, ndeshja e sotme është një mundësi për të marrë pikë shumë të nevojshme në luftën për t’u larguar nga fundi i tabelës, ndërsa për Dritën çdo hap fals mund të kushtojë në garën për pozitat e para.
Llapi – Drita zhvillohet sot nga ora 15:00 në Podujevë.










