Kampionia e Kosovës, Drita, vazhdon sonte rrugëtimin evropian, duke u përballur me Tre Fiorin në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të UEFA Conference League.
Takimi zhvillohet në “San Marino Stadium”, me fillim nga ora 21:00, ndërsa skuadra gjilanase synon të marrë një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit, e cila do të luhet më 13 gusht.
Drita mbërrin në këtë fazë pas një kualifikimi dramatik ndaj Florianës. Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë, gjilanasit fituan 2:1 në Prishtinë pas vazhdimeve. Jorgo Pëllumbi barazoi rezultatin në fundin e kohës së rregullt, ndërsa autogoli i Kauan në minutën e parë të vazhdimeve ia siguroi Dritës kalimin tutje.
Përballë saj do të jetë Tre Fiori, skuadër nga San Marino që e nisi sezonin në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por u eliminua nga Larne me rezultat të përgjithshëm 3:1. Tre Fiori nuk konsiderohet favorit, megjithatë në kampin e Dritës kërkohet kujdes maksimal për të shmangur ndonjë befasi.
Një fitore në San Marino do ta vendoste Dritën në pozitë shumë të favorshme për ndeshjen e kthimit dhe do ta afronte vetëm një hap larg fazës “play-off” të Conference League.









