Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka ndryshuar qëndrim lidhur me drejtimin e futbollit botëror.
Me anë të një letre zyrtare dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, FSHF ka njoftuar revokimin e mbështetjes për kandidaturën e Gianni Infantinos për një mandat të ri katërvjeçar në krye të institucionit më të lartë të futbollit global.
Letra, e cila mban firmën e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, pasqyron një kthesë në qëndrimin e mëparshëm të federatës shqiptare.
Sipas dokumentit zyrtar, ky vendim vjen pas konsultimeve të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës aktuale në futbollin ndërkombëtar, si dhe në vijim të zhvillimeve të fundit dhe qëndrimeve të shprehura nga federatat europiane lidhur me proceset e qeverisjes në FIFA.
Në përfundim të njoftimit, FSHF thekson se mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me UEFA-n dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, me qëllim mbështetjen e një qeverisjeje të futbollit të bazuar te transparenca, integriteti dhe interesi më i mirë i lojës.
Meqenëse Federata e Futbollit Shqiptar ka revokuar mbështetjen, VAR Kosova ka dërguar pyetje në drejtim të Federatës së Futbollit të Kosovës për të pyetur se a është duke u folur për këtë çështje, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.









