Kuqezinjtë kërkojnë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Conference League.
Shkëndija do të zbresë sonte në fushën e stadiumit “Easter Road” në Edinburgh, ku do të përballet me Hibernianin në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të UEFA Conference League.
Takimi nis në orën 21:00 sipas kohës sonë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTVM2.
Kuqezinjtë arritën në këtë fazë pasi eliminuan NK Bravon. Pas humbjes 2:1 në Slloveni, Shkëndija reagoi fuqishëm në ndeshjen e kthimit, duke fituar 3:1 në Shkup dhe duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 4:3.
Edhe Hiberniani siguroi kualifikimin pas një përmbysjeje dramatike ndaj Malishevës. Skuadra skoceze kishte humbur 2:0 në Kosovë, por triumfoi 4:1 në “Easter Road” dhe avancoi me rezultat të përgjithshëm 4:3.
Sipas njoftimit të klubit, trajneri Artim Pollozhani do t’i bashkohet skuadrës ditën e ndeshjes për shkak të vonesave në procedurat e vizës. Portieri Baboucarr Gaye dhe mbrojtësi Bojan Dimoski do të mungojnë për shkak të lëndimeve.
Shkëndija synon t’i përgjigjet lojës fizike të vendasve dhe të marrë një rezultat pozitiv para sfidës së kthimit, e cila zhvillohet më 13 gusht nga ora 20:00 në Shkup.
Kjo është hera e dytë që Shkëndija përballet me një klub skocez. Në vitin 2015, kuqezinjtë eliminuan Aberdeenin falë barazimeve 1:1 në Shkup dhe 0:0 në transfertë.
VAR Kosova do t'ju ofrojë linkun për të ndjekur drejtpërdrejt ndeshjen.









