Shoqata e Trajnerëve të Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin e Edukimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka organizuar sot një ligjëratë profesionale për trajnerët e klubeve të Superligës dhe Ligës së Parë të Futsallit, me instruktorin e UEFA-s, Miço Martiq.
Martiq është një ndër ekspertët e njohur të futsallit evropian, me një karrierë të pasur si lojtar, trajner dhe edukator. Ish-kapiten i Kombëtares së Kroacisë në futsall, ai ka drejtuar kombëtaret e Kroacisë, Finlandës dhe Lituanisë, ndërsa aktualisht është përzgjedhës i Kombëtares së Zvicrës në ftusall. Gjithashtu, ai është anëtar i Grupit Këshillues të UEFA-s për Futsall dhe themelues i platformës ndërkombëtare FutsalPlanet.
Tema e ligjëratës ishte “Ndryshimet dhe trendet e reja në lojën e futsallit”, me fokus në evolucionin e kësaj disipline, zhvillimin e koncepteve moderne taktike dhe përshtatjen e metodologjisë së stërvitjes me kërkesat e futsallit bashkëkohor.
Në futsallin modern, rëndësi gjithnjë e më të madhe po marrin intensiteti i lojës, tranzicioni ndërmjet fazave sulmuese dhe mbrojtëse, fleksibiliteti taktik, organizimi i presingut, shfrytëzimi efikas i hapësirave dhe shpejtësia e vendimmarrjes së lojtarëve.
Organizimi i kësaj ligjërate shërbeu për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërkombëtare, avancimin profesional të trajnerëve vendorë dhe ngritjen e cilësisë së futsallit në Kosovë.
FFK-ja dhe Shoqata e Trajnerëve të Futbollit të Kosovës do të vazhdojnë angazhimin e tyre në edukimin e vazhdueshëm të trajnerëve dhe zhvillimin e futsallit në përputhje me standardet bashkëkohore ndërkombëtare.
Burimi: Federat e Futbollit e Kosovës (FFK)










