Qeqa Krelani ka reaguar në Facebook me një postim të ashpër e ironik për trajtimin e Edon Zhegrovës te Juventusi, duke e krahasuar atë me mënyrën si sillet lojtari ndaj Përfaqësueses së Kosovës.
Krelani iu drejtua trajnerit Luciano Spalletti si "boss", duke thënë se ai e ka gjetur formulën që lojtari, i cili sipas tij e la Kosovën në mes të garave, tani të paraqitet në stërvitje pa bërë zë. Ajo theksoi se Spalletti e përdor "Messin e Kosovës" si të dojë: herë e lë në bankë, herë e fut për pesë minuta, herë e lë jashtë garave evropiane e herë e bën titullar.
Në postim, Krelani kërkoi publikisht që Spalletti t'u tregojë FFK-së dhe përzgjedhësit Foda "si t'i bëjnë futbollistët ta respektojnë fanellën e Kosovës, ashtu siç respektojnë bankën e tij". Ajo kujtoi edhe rastin e Francesco Tottit, duke thënë se Spalletti as legjendën e Romës nuk e trajtoi si të paprekshëm.
"Te Spalletti vendos trajneri. Te Kosova, trajneri duhet të marrë leje prej analistëve e shpesh edhe prej vetë futbollistëve", ka shkruar Krelani.
Ajo kërkoi nga Federata dhe trajneri që ta sqarojnë deri në fund rastin, duke e cilësuar fyerje për inteligjencën arsyetimin se muskuli i Zhegrovës nuk përballon ndeshje çdo tre-katër ditë. "A thua Juventusi investon miliona euro për futbollistë që nuk mund të përballojnë një ndeshje çdo katër ditë?", pyeti ajo me ironi.










