FIFA ka sqaruar arsyet e anulimit të golit të Gjermanisë në përballjen ndaj Paraguait, një vendim që shkaktoi reagime të shumta pas përfundimit të ndeshjes.
Mbrojtësi Jonathan Tah shënoi me kokë në minutat shtesë, por pas rishikimit nga VAR-i goli u anulua për shkak të një fauli ndaj portierit Orlando Gill. Pamjet treguan se Waldemar Anton pengoi lëvizjen e portierit, duke bërë që arbitri ta anulonte golin.
Vendimi u kritikua gjerësisht, veçanërisht në Gjermani, pasi shumë e konsideruan kontaktin mes lojtarëve si minimal. Megjithatë, FIFA këmbëngul se vendimi është në përputhje me udhëzimet e reja për gjyqtarët.
Shefi i gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina, shpjegoi se arbitrat janë udhëzuar të ndëshkojnë çdo rast kur një lojtar bllokon qëllimisht lëvizjen e kundërshtarit pa tentuar të luajë topin, sidomos kur bëhet fjalë për portierët.
Sipas Collinës, edhe një kontakt i vogël mund të konsiderohet faul nëse pengon portierin të mbrojë portën. Ai shtoi se trajnerët dhe futbollistët janë informuar paraprakisht për këtë interpretim të rregullave, ndaj gjyqtarët pritet t’i zbatojnë ato me rigorozitet gjatë ndeshjeve të Botërorit.






