Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka vazhduar paraqitjet mbresëlënëse në FIBA Women's European Championship for Small Countries 2026, duke mposhtur Andorrën me rezultat të thellë 85:39 dhe duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale, thuhet në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës [FBK].
Sipas FBK-së, Kosova e dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund me lojë të disiplinuar dhe efikase, duke siguruar epërsi të thellë që në pjesën e parë
“Pas fitores në ndeshjen hapëse ndaj Armenisë, vajzat e Kosovës treguan edhe një herë forcën e tyre në parket, duke dominuar takimin nga minuta e parë deri në atë të fundit. Dardanet shfaqën lojë të disiplinuar në mbrojtje dhe efikase në sulm, duke krijuar epërsi të madhe që në pjesën e parë të ndeshjes.” thuhet në njoftimin e FBK-së.
Me këtë fitore bindëse, Kosova siguron matematikisht një vend në mesin e katër kombëtareve më të mira të turneut dhe vazhdon garën për medalje para tifozëve të saj në palestrën “Karagaç” në Pejë.
Skuadra e drejtuar nga Lorik Kllokoqi ka treguar karakter, cilësi dhe unitet në dy ndeshjet e para, duke dhënë sinjale të qarta se synon të arrijë sa më larg në këtë kampionat.
Me dy fitore në dy ndeshje dhe me biletën e siguruar për gjysmëfinale, Kosova vazhdon ëndrrën evropiane në shtëpinë e saj.









