Anglia ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Spanjës, duke triumfuar me rezultatin 3:2 në një përballje dramatike të vlefshme për Ligën e Kombeve, në kuadër të Grupit 3 të Ligës A.
Ndeshja dhuroi emocione të shumta, me anglezët që arritën të krijonin një epërsi të konsiderueshme, ndërsa Spanja u përpoq deri në fund për të shmangur humbjen.
Harry Kane zhbllokoi rezultatin në minutën e 45-të, duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë dhe duke i dërguar skuadrat në pushim me epërsinë 1:0 për Anglinë.
Pjesa e dytë nisi në mënyrë fantastike për mysafirët. Ezri Konsa shënoi golin e dytë në minutën e 53-të, pas asistimit të Declan Rice, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Ben White realizoi edhe golin e tretë, me Jude Bellingham që kontribuoi me asistimin.
Spanja nuk u dorëzua dhe arriti të ngushtonte rezultatin në minutën e 65-të, kur Mikel Oyarzabal shënoi nga penalltia për 1:3.
Presioni i vendasve vazhdoi dhe në minutën e 75-të Lamine Yamal asistoi për Nico Williams, i cili realizoi golin e dytë për Spanjën, duke e bërë përfundimin e takimit edhe më emocionues.
Megjithatë, Anglia arriti ta ruajë epërsinë deri në vërshëllimën e fundit, duke siguruar fitoren 3:2.
Me këtë rezultat, Anglia e mbyll fazën e grupeve në vendin e parë me 15 pikë, aq sa ka edhe Spanja në pozitën e dytë. Të dyja kombëtaret regjistrojnë nga pesë fitore dhe një humbje, por anglezët kanë golaverazh më të mire krahasuar me spanjollët.
Kroacia renditet e treta me gjashtë pikë, ndërsa Çekia e përfundon grupin në vendin e fundit pa pikë.










