Prishtina kërkon ta vazhdojë serinë perfekte, Dukagjini synon ta ndalë në kryeqytet
Prishtina dhe Dukagjini përballen sot në njërën prej ndeshjeve më interesante të javës së tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Takimi zhvillohet nga ora 18:00, ndërsa kryeqytetasit hyjnë në këtë sfidë me një bilanc perfekt në kampionat – gjashtë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.
Prishtina aktualisht renditet në pozitën e dytë me 18 pikë, vetëm një më pak se liderja Malisheva, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara. Bardhekaltrit kanë shënuar 18 gola dhe kanë pranuar vetëm katër, duke qenë një prej skuadrave më efikase dhe më stabile në këtë fillim sezoni.
Në xhiron e fundit të zhvilluar nga Prishtina, skuadra nga kryeqyteti triumfoi 2:1 në udhëtim ndaj Gjilanit, duke vazhduar serinë pa asnjë pikë të humbur në kampionat. Para kësaj, Prishtina kishte regjistruar fitore ndaj Feronikelit 74, Drenicës, Vushtrrisë, Llapit dhe Ballkanit.
Në anën tjetër, Dukagjini vjen në Prishtinë si skuadra e katërt në tabelë me 12 pikë nga shtatë ndeshje. Klinasit kanë regjistruar tri fitore, tri barazime dhe vetëm një humbje, me gol-dallim 8:5.
Humbja e vetme e Dukagjinit deri më tani erdhi në xhiron e kaluar, kur Drita fitoi 2:1 në Klinë. Para asaj ndeshjeje, Dukagjini kishte kaluar gjashtë xhiro pa humbje, duke treguar se mund të jetë kundërshtar i vështirë edhe për skuadrat që synojnë kreun.
Për Prishtinën, fitorja do të nënkuptonte vazhdimin e startit perfekt dhe kalimin në kuotën e 21 pikëve, duke rimarrë kreun e tabelës edhe me ndeshje më pak të zhvilluara.
Dukagjini, ndërkohë, kërkon pikë të rëndësishme në kryeqytet për të mbetur fuqishëm në grupin e skuadrave të pjesës së sipërme të tabelës.
Sfida Prishtina – Dukagjini është e fundit për sot në kuadër të javës së tetë të Superligës së Kosovës dhe nis në ora 18:00.










