Edonisa Aliu ka reaguar publikisht lidhur me incidentin e ndodhur pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv” në TV Dukagjini, duke këmbëngulur në pretendimet e saj se është fyer dhe sulmuar fizikisht nga Liridon Leci, analist dhe trajner i KF Vëllaznimit të Gjakovës.
Përmes një sqarimi publik, Aliu ka kërkuar që të shqyrtohen të gjitha pamjet filmike, nga momenti i përfundimit të emisionit deri në përfundim të incidentit, në mënyrë që të zbardhen plotësisht rrethanat e ngjarjes.
“Uroj që e gjithë ngjarja të zbardhet deri në detaje dhe të shqyrtohen pamjet filmike nga momenti i përfundimit të emisionit e deri në përfundim të incidentit, në mënyrë që gjithçka të dokumentohet e të vërtetohet”, ka deklaruar Aliu.
Ajo ka theksuar se ngjarja ka pasur edhe dëshmitarë, duke përmendur Ndrec Gjonajn, Faruk Statovcin dhe persona të tjerë që, sipas saj, kanë qenë të pranishëm.
“Besoj se e vërteta duhet të dalë në dritë dhe se askush nuk duhet të ndihet i paprekshëm përballë veprimeve të tilla. Respekti, dinjiteti dhe siguria personale nuk duhet të cenohen në asnjë rrethanë”, ka shtuar ajo.
Reagimi i Aliut vjen në kohën kur Prokuroria ka bërë të ditur se, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë të siguruara më 12 tetor, ishte vetë Aliu ajo që e kishte kapur për fyti dhe goditur në fytyrë Lecin.
Lidhur me këtë incident, Prokuroria ka iniciuar rast për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Deklarim i rremë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave thuhet se janë duke vazhduar.
Aliu ka bërë të ditur se nuk dëshiron të zgjatet më shumë rreth kësaj çështjeje deri në një reagim tjetër publik.










