Një kthesë e rëndësishme ka ndodhur në rastin mes ish-futbollistes Edonisa Aliu dhe trajnerit Liridon Leci. Sipas Prokurorisë, pamjet e kamerave të sigurisë, të siguruara gjatë ditës së sotme, tregojnë se ishte Aliu ajo që e kishte kapur për fyti dhe e kishte goditur në fytyrë Lecin.
Ky zhvillim vjen pasi fillimisht ishte raportuar se Aliu ishte sulmuar fizikisht nga Leci, pas përfundimit të emisionit televiziv “Dueli Sportiv” në TV Dukagjini, më 11 tetor.
Sipas përgjigjes së prokurorisë, Aliu ishte intervistuar në cilësinë e palës së dëmtuar, duke pretenduar se Leci e kishte fyer dhe kapur për fyti. Ajo kishte marrë edhe trajtim mjekësor në Obiliq, megjithëse në raportin mjekësor nuk ishin evidentuar shenja apo gërvishtje të dukshme.
Megjithatë, më 12 tetor, Njësia e Hetimeve ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat, sipas Prokurorisë, tregojnë se Aliu kishte tensionuar situatën, duke e kapur për fyti dhe goditur në fytyrë Lecin.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka iniciuar procedura për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Deklarim i rremë”.
Prokuroria ka thënë se po vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit ndërsa kanë shtuar se rasti mbetet në fazën e hetimeve.










