Java e pestë e Superligës së Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje interesante, teksa Drenica e pret Prishtinën, ndërsa Vushtrria përballet me Llapin.
Vëmendja kryesore pritet të jetë në Skenderaj, ku Drenica do të kërkojë t’ia ndalë hovin Prishtinës.
Skuadra kryeqytetase e ka nisur shumë mirë sezonin, duke fituar tri ndeshjet e para të zhvilluara. Prishtina mposhti Ballkanin 4:2, Llapin 4:0 dhe Vushtrrinë 1:0, duke marrë nëntë pikë të plota.
Drenica, në anën tjetër, ende nuk e ka gjetur fitoren e parë këtë edicion, por ka treguar se nuk është kundërshtar i lehtë. Në katër ndeshjet e para ka regjistruar tri barazime dhe vetëm një humbje. Në xhiron e fundit mori një pikë të vlefshme në udhëtim ndaj Dritës, me ndeshjen që përfundoi 0:0.
Interesante është se takimi i fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave përfundoi me fitore 2:1 të Drenicës në Prishtinë, në maj të këtij viti.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Vushtrria e pret Llapin në një duel shumë të rëndësishëm për të dy skuadrat.
Llapi e ka nisur sezonin me katër humbje radhazi dhe ende nuk ka fituar asnjë pikë. Edhe Vushtrria është në kërkim të pikëve të para pas një fillimi të vështirë të sezonit.
Programi i sotëm:
Drenica – Prishtina Vushtrria – Llapi
Dy ndeshjet janë pjesë e xhiros së pestë të Superligës, ndërsa java vazhdon të mërkurën dhe të enjten me tri takimet e tjera.









